Connect with us

Bota

Djegia e Kuranit/ Turqia i kërkon Danimarkës të marrë masa

Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan i kërkoi të shtunën Danimarkës të ndërmarrë veprime urgjente për të parandaluar djegien e Kuranit, tha një burim i ministrisë së jashtme turke.

Në një telefonatë me homologun e tij danez Lars Lokke Rasmussen, zoti Fidan dënoi “sulmet e vazhdueshme të neveritshme kundër Kuranit”. Ai i tha zotit Rasmussen se ishte e papranueshme të lejoheshin veprime të tilla nën maskën e lirisë së shprehjes, tha burimi.

Ministri Rasmussen shkroi të shtunën në platformën e mesazheve X, e njohur më parë si Twitter:

“Turqia dhe Danimarka janë aleatë të ngushtë. Është e rëndësishme të mos lejojmë që këto akte të arrijnë të na përçajnë.” Ai përsëriti gjithashtu “denoncimin e fortë të Danimarkës ndaj këtyre akteve provokuese nga një numër i vogël individësh”.

Komentet erdhën pasi një grup i vogël aktivistësh anti-islamikë i vunë zjarrin Kuranit përpara ambasadave egjiptiane dhe turke në Kopenhagë të martën, pas protestave të ngjashme në Danimarkë dhe Suedi gjatë javëve të fundit.

Danimarka dhe Suedia kanë shprehur keqardhje për djegien e librit të shenjtë të Islamit, por thonë se nuk mund t’i parandalojnë pasi liria e shprehjes është e garantuar./VOA/

Advertisement