Kosova
Djegia e shtëpisë së Joziçit/ Osmani: Akt i papranueshëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “akt të papranueshëm” djegien e shtëpisë së Svetisllav Joziçit në një fshat të Istogut, pas një vizite më 5 gusht. Të shtunën, Osmani e vizitoi shtëpinë serbit të kthyer të Kosovës, e cila u dogj nga persona të panjohur më 10 korrik, duke e cilësuar atë “vepër kundër Republikës sonë”.
“Istogu ka qenë gjithmonë një shembull shndritës i gjithëpërfshirjes që e ka mbërthyer forcën e diversitetit. Djegia e shtëpisë së familjes Joziçi është vepër e papranueshme. Derisa ne po ua rindërtojmë shtëpinë atyre, jemi të përkushtuar të sigurohemi se ata do të ndihen të sigurt,”- shkroi presidentja Osmani në rrjetin social X, i njohur dikur si Twitter.
Më 7 korrik të këtij viti, Joziç mori çelësat e një shtëpie të sapondërtuar në fshatin e tij të lindjes, Veriç, në territorin e komunës së Istogut. Vetëm tri ditë më vonë, ai u njoftua se autorë të panjohur ia kishin vënë zjarrin. Svetisllav Joziç është i pari serb i kthyer në fshatin Veriç të komunës së Istogut, rreth 80 kilometra nga Prishtina. Lajmi për djegien e gjeti atë në Jagodinë, një qytet në Serbi ku ai jeton i zhvendosur për më shumë se dy dekada.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL) pas incidentit, ai sqaroi se pas dorëzimit të çelësave të shtëpisë së tij ishte kthyer në Serbi me marrëveshje me përfaqësuesit e Komunës së Istogut dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), për shkak se mobilimi i saj nuk ishte kryer. Ai nuk e di se kush mund ta ketë bërë këtë dhe pse, por është i sigurt se nuk është dikush nga fshati i tij.
“Ata (fqinjët) gjithashtu raportuan në polici në Istog. Fqinjët e mi flasim më të mirën për mua. Të gjithë më njohin, kam punuar atje. Ata, gjithashtu, thanë që tani duhet të rinovohet gjithçka, dyert dhe dritaret”, tregon Joziç, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga kthimi./REL