Politike
“Do ishte mirë të kishim qeveri teknike”, Lapaj: Nuk besoja se PS do kishte kaq mandate

Kreu i Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, thotë se priste që mazhoranca mos të kishte numrat për të krijuar qeverinë pas zgjedhjeve të 11 majit dhe për pasojë, të krijohej një qeveri teknike për zgjedhje të parakohshme.
Lapaj theksoi se zgjedhjet e parakohshme do ishin zgjidhja ideale, pasi nëse do të kishte ndodhur, “do të kishim një qeveri ekspertësh dhe profesorësh, për të përgatitur zgjedhjet e para demokratike në këtë vend”.
Ndër të tjera, Lapaj thotë se ndryshimi i vullnetit të qytetarëve ndodh përtej kutisë së votimit. Sipas tij, mekanizmat se si mund të ndalet janë të shumtë, por së pari duhet të ketë edhe ndërgjegjësim të madh qytetar.
Pjesë nga intervista
Si e shihni këtë atmosferë të këtyre ditëve?
Vota në Shqipëri deformohet, pa diskutim. Ne jemi subjekti që kërkuam hapjen e kutive në Vlorë dhe Fier, e bëjmë këtë me vetëdije të plotë, që beteja është edhe për një votë, sepse çdo qytetar që na e ka dhënë votën duhet të adresohet. Kaq kemi në dorë, këtë do të bëjmë. Ndryshimi i vullnetit të qytetarëve ndodh përtej kutisë së votimit. Mekanizmat se si mund të ndalet janë të shumtë, por së pari duhet të ketë edhe ndërgjegjësim të madh qytetar, sepse përderisa një njeri vendos ta shesë votën, ne nuk mund të vendosim një polic për çdo njeri.
Kur ju hytë në zgjedhje, i mbanit parasysh këto që thoni?
Nuk po ankohem, po them vetëm një fakt. Ky është realiteti i shoqërisë sonë, që po vuajnë qytetarët, nga spitalet deri te largimet masive. Mosha mesatare në Shqipëri shkoi mbi 44 vjeç. Kjo nuk është çështja e Adriatikut apo e Shqipëria Bëhet, por e një vendi. Ne po mundohemi sa të mundemi për ta kthyer ku duhet.
Jeni ende me idenë e zgjedhjeve të parakohshme?
Unë besoj te ndryshimi. Kam bërë një fushatë për të dhënë një mesazh, të jemi një alternativë reale. Përtej rezultatit të zgjedhjeve, është fakt që propozimi që ne kishim dhe kemi, ishte dhe është zgjidhja për Shqipërinë. Çfarë ka ndryshuar nga para zgjedhjeve? A është populli më entuziast, ka shpresë vërdallë? Ka ndryshuar ndonjë gjë në përditshmërinë e vendit tonë?
Po te Kryeministri, shihni ju diçka ndryshe?
Ai e di të vërtetën, atë të votës të Diasporës. E dinë edhe njerëzit. Isha nga të parët që e çova para procesin e votës së diasporës.
Ku e prisnit PS-në me kaq mandate?
Jo nuk e prisja, madje mendoja që mazhoranca nuk do të fitonte, të kishte nevojë për numra të tjerë për të bërë Qeverinë, në mënyrë që ta çonim vendin në zgjedhje të parakohshme. Kam besuar te kjo dhe kjo do të ishte zgjidhja ideale. Nëse do të kishte ndodhë, do të kishim një qeveri ekspertësh dhe profesorësh, për të përgatitur zgjedhjet e para demokratike në këtë vend.

