Connect with us

Bota

“Do më helmonte, ndaj e vrava”/ Vrasja e Gentiana Hudhrës, vëllai i shqiptares: Motra e kishte denoncuar, por…

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e shqiptares Gentiana Hudhra, e cila u vra me thikë në një park nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra. Siç raportohet 45-vjeçarja në vitin 2021 e kishte denoncuar ish-burrin e saj, Nikollaq Hudhrën, 55 vjeç, për dy episode dhune gjatë bashkëjetesës së tyre.

Por prokuroria e Maceratas në dhjetor të atij viti e mbylli çështjen për këtë rast. Në janar të vitit 2022, pas 20 vitesh martesë, çifti u divorcuan. Avokati që e mbrojti Gentianën në atë periudhë, Guglielmo De Luca, deklaroi se Nikollaq Hudhra mendonte se ajo do e helmonte, madje në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer.

“Ai kishte idenë e fiksuar se ajo e helmonte. Në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer. Para ndarjes kishte ndryshuar bravën e derës për ta mbajtur larg. Më pas, falë dy kërkesave, i lejoi të kthehej, por e detyronte të flinte në një dhomë të vogël në një divan. I thashë të largohej nga ai burrë, por ajo priti për shkak të shqetësimit për fëmijët”, ka deklaruar avokati i saj.

Madje, për ngjarjen ka folur edhe vëllai i Gentianës, Artur Kopili, i cili është shprehur se e dinin mardhënien e çiftiti. Gjithashtu ai së bashku me familjarë të tjerë morën pjesë në manifestimin përkujtimor në sheshin ku ndodhi vrasja.

“Të gjithë e dinin këtë situatë. Motra ime e kishte denoncuar disa vite më parë ish-burrin, por askush nuk ndërhyri”, tha ai.

Si ndodhi vrasja?

Mbrëmjen e 14 qershorit, rreth orës 20:00, Nikollaqi mbërriti me monopatinë pranë ish-bashkëshortes dhe e goditi me një thikë kuzhine me një fije rreth 18 centimetra, duke i shkaktuar rreth dhjetë plagë dhe më pas e goditi me këmbë. Më pas 55-vjeçari u ul në një stol pranë trupit të pajetë të ish-gruas, aty ku u gjet dhe u arrestua nga karabinierët e Maceratas dhe Tolentinos, që po vijojnë hetimet nën drejtimin e prokurorit Enrico Riccioni.

Hudhra gjithashtu ka pranuar vrasjen dhe ka rrëfyer se kishte tentuar të vriste ish-gruan edhe dy herë më parë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e përpjekjeve të tjera për vrasje. Nikollaqi ndodhet aktualisht në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe në gjykatën e Maceratas do të zhvillohet seanca për konfirmimin e arrestimit. Ai akuzohet për vrasje me paramendim, ndërsa ka pranuar se ka provuar edhe më parë ta vriste ish-gruan dhe ka shpjeguar se ka shkuar në vendin e ngjarjes me monopatinë, pasi ajo e njihte makinën e tij.

Advertisement