Politike
“Do ta mbash mend…”/ Veliaj me tone të ashpra ndaj prokurorit Dado: Të kam dhënë leje ndërtimi

Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryebashkiakun Erion Veliaj është shoqëruar me debate. Siç bëhet me dije, gjatë seancës së sotme kryebashkiaku Veliaj i është drejtuar hetuesit Ols Dado, duke i kujtuar një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2021. Duke pretenduar se është në konflikt interesi, i kërkon largimin nga dosja.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në “detyrim paraqitje” janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi.

