Politike
“Do të heqë Ramën nga puna”/ PD optimiste për fitoren e Trump, ironizon gazetari
Analisti Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, i cilësoi ekzagjerime deklaratat e opozitës se me ardhjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të rrëzohet Rama. Ai tha se ndryshimet nuk do të vijnë deri në Shqipëri, por është vota e shqiptarëve ajo që vendos për në Shqipëri.
“Mendoj se ne e ekzagjerojmë rolin që ka SHBA në lidhje me votën e shqiptarëve. A bie apo jo Rama, është çështje e votuesve shqiptarë. A mund të ndikojë ardhja e zotit Trump në SHBA? Po. A do të ketë ndryshim në DASH? Po. Sot udhëheqja kryesore e DASH vjen nga një botë e caktuar, bota e NGO-ve.
Edhe ndihmëssekretari për Euroazinë, shefi i Yuri Kim, vjen nga bota e NGO-ve, ka punuar me të majtën, pra është pjesë e një rrjeti të caktuar. Kanë patur politikë të tyre. A do të zëvendësohet? Po. Por nuk mendoj se ndryshimet arrijnë deri në Shqipëri.
Nuk mendoj se Shqipëria është prioritet. A mund të ketë në nivelin ku bëhet politika për Shqipërinë? Po. Por administrata ruan vazhdimësinë dhe disa parime të përgjithshme. Do të isha më pak entuziast. Ka element që nuk prekin Shqipërinë dhe ka element që do të ndryshojnë. Po të shohësh deklarimet e zotit Trump, janë ndryshime rrënjësore. Në lidhje me arsimin, ka thënë se arsimi do t’u kalojë shteteve.
Pastaj për politikat shëndetësore, që kanë të bëjnë me financimin e ndryshimit të gjinisë. Por prapë them, këto janë ndikime që mund të ndihen në rastin e pushtimit rus në Ukrainë, në Izrael, etj. Por është vota e shqiptarëve ajo që vendos për në Shqipëri.
Nëse shqiptarët nuk e duan Ramën, nuk ka asnjë president ta mbajë apo ta heqë. E vetmja gjë që ka vlerë, është nëse Edi Rama vjedh zgjedhjet në mënyrë spektakolare, ka rëndësi qëndrimi i ndërkombëtarëve. Por, ndikim direkt se erdhi Trump dhe do pushojë nga puna Ramën, këto janë ekzagjerime që bëjmë ne duke menduar se jemi në qendër të politikës botërore”-tha Sejamini.