Connect with us

Kronike

“Do të vras po tregove”/ Ngacmoi seksualisht mbesën e mitur, dënohet me burg autori

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin S.H. për veprën penale ‘Vepra të turpshme’. I pandehuri ka ngacmuar seksualisht mbesën e tij 11-vjeçare dhe e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën se nëse do të tregonte do ta vriste. Në përfundim të hetimeve shtetasi S.H është dënuar me 5 vite burg, pasi u shpall fajtor se kryente veprime të turpshme ndaj mbesës së mitur.

NJOFTIMI:

Kryente veprime të turpshme ndaj mbesës së mitur, me kërkesë të Prokurorisë Fier dënohet me 7 vite e gjysëm burg shtetasi S.H

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin S.H. për veprën penale ‘Vepra të turpshme’ parashikuar nga neni 108/2 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.811 regjistruar pas kallëzimit në Komisariatin e Policisë Lushnjë më 04.06.2024, Prokuroria provoi se i pandehuri S.H ka kryer veprime të kundraligjshme dhe të drejtpërdrejta kundrejt mbesës së tij të mitur E.H, të moshës 11 vjeçare, (të përsëritura në kohë të ndryshme).

I pandehuri S.H e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën se nëse do të tregonte do ta vriste, ndaj organi procedues është vënë në dijeni të faktit penal nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe psikologia e shkollës së të miturës pasi ishin vënë re ndryshime drastike në sjelljen e saj.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, arriti në përfundimin se veprimet e kryera nga i pandehuri S.H kundrejt mbesës së tij të mitur E.H kanë cënuar integritetin psiqik dhe emocional të të miturës, duke i shkaktuar pasoja psikosociale, si: frikë për të jetuar e vetme në banesën ku ajo jeton me prindërit, pasiguri për të ardhmen, etj, dhe burimi i tyre vjen nga ngacmimet dhe veprat e turpshme që shtetasi S.H ka ushtruar kundrejt saj.

Mbi bazën e kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vendosi:

1. Deklarimin fajtor të pandehurit S.H për kryerjen e veprës penale “Vepra të turpshme” parashikuar nga neni 108/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri S.H denohet me 5 (pesë) vite burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cënojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve.

Advertisement