Connect with us

Rajon

Dodik ‘mpreh’ gjuhën: Gjermania do falimentojë më shpejt se Republika Srpska

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se gjoja po përpiqen të menaxhojnë Bosnje Hercegovinën, “si një fuqi koloniale”, teksa ka shtuar se situata në Republikën Srpska “është më e mirë se në Gjermani”, dhe se kjo e fundit “do të falimentojë më shpejt se entiteti që ai drejton”

Këto komete, Dodik i bëri gjatë një konference për media në Banja Lukë, ku shpalli edhe një herë shpërbërjen e Bosnje Hercegovinës, teksa pretendoi se 28 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës  në vitin 1995), “është provë e mjaftueshme se Bosnje Hercegovina nuk mund të funksionojë”, duke parashikuar se në atë skenar vetëm Republika Srbska “do të mbijetonte si njësi e pavarur”.

Sipas tij, Marrëveshja e Dejtonit ka dështuar dhe se prej saj kanë mbetur vetëm fragmente.

“Nuk ka asnjë arsye që ne të ndalemi sot në Marrëveshjen e Dejtonit dhe të bëjmë të njëjtin gabim që bëri Serbia pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë duke e mbrojtur atë deri në fund, ndërsa tani akuzohet se e ka thyer atë” –  theksoi Dodik. Prandaj, vlerësoi i sanksionuari i SHBA-së, “zgjidhja më e mirë është shpërbërja paqësore”.

Presidenti autoritar i Republika Srbska ka pretenduar se kundër tij është vetëm “administrata koloniale”, e udhëhequr nga SHBA dhe Britania e Madhe, dhe duke mos e fshehur simpatinë për Donald Trump, shpreson se zgjedhjet presidenciale në Amerikë vitin e ardhshëm, si dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian, mund ta ndryshojnë situatën.

Advertisement