Shkrime
Doktor po lodhesh kot!
Nga Denis Dyrnjaja
Me lek, pa lekë, me patronazhistë, pa patronazhistë, Sali Berisha dhe opozita i kanë humbur zgjedhjet lokale të 14 majit. Këtë e dinë të gjithë tanimë dhe i vetmi që vazhdon një betejë pa bereqet në këtë aspekt është Sali Berisha. Nga makthi i brendshëm që ka se mos e fajësojnë për humbjen, ai ka nisur një fushatë propagandistike për të provuar se zgjedhjet nuk u humbën, por u vodhën. Në fakt si Berisha, si bashkëpunëtorët e tij e dinë se çfarë do që të thonë e pretendojnë zgjedhjet kanë mbaruar dhe fituesi është përcaktuar.
Çështja është se në këtë përpjekje të pakuptimtë, vetëm sa po harxhohet energji dhe kohë e kotë për të krijuar një bindje e cila nuk ka për t’u krijuar te askush pasi përtej çdo shkaku, forme apo mënyre spekulative që ka përdorur Rama dhe PS për të kompromentuar procesin zgjedhor, rezultati sërish nuk do të ndryshojë dhe zgjedhjet nuk do të përsëriten. Në këto kushte edhe pse do duhej të pranonte humbjen dhe të bënte një analizë reale dhe të thellë të shkaqeve pse shqiptarët nuk po besojnë te opozita, Berisha duhet te kthejë sytë nga aksioni politik i 2025-ës, nëse nuk ka ndërmend të konkurrojë me Bashën se kush humbet me shumë zgjedhje.
Sa kohë merret me denoncime pa vlerë sporadike, në bashki periferike, kur ka humbur thellë Tiranën, Durrësin, Elbasanin dhe për t’i vënë kapak edhe Shkodrën, duhet të fillojë të mendojë se cila është mënyra për të sfiduar makinerinë “vrasëse elektorale” të Edi Ramës. Dhe kjo bëhet përmes një procesi të besueshëm dhe real që nis që nga pranimi i humbjes prej tij të paktën brenda grupimit që drejton dhe përtej faktit se kush e kritikon, gazetarë, analistë apo kundërshtarë. Të gjithë e dinë se në këto momente Berisha është themeli për të mos u shpërbërë edhe ajo pjesë e PD dhe elektoratit të saj që ka mbetur si opozitë. Por kjo është e pamjaftueshme për të krijuar besim se 2025-a nuk do të prodhojë humbjen e radhës.
Ndaj nëse Berisha do fitoren dhe rrezimin e Ramës kjo e deritanishmja është rruga e gabuar dhe me shtigje të mbyllura. Duke qenë se ka harruar dhe revolucionin e nisur me aq shumë vitalitet dhe meqë revolucioni iu fik rrugës, mirë është ta rindezë por duke nisur për së pari brenda kupolës që mbështjellë altarin e tij nga servilë e njerëz që vegjetojnë. Ai duhet të spastrojë me ose pa mirëkuptim të gjithë “artopalantët mediokër” në PD, që jo vetëm nuk prodhojnë vota, por krijojnë antipati dhe alergji në publik.
Duke pastruar territorin prej “xhaketave të vjetra” jo si moshë por si mendësi, që ekzistojnë vetëm për të plotësuar humorin personal të Berishës, ai do të krijojë habitatin që në parti të afrohen njerëz dhe kapacitete të papërlyer e që në publik kanë reputacion të pëlqyer. Nuk është më politika e para 20 viteve. Tani është gjithçka imazh dhe ndërveprim publik. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë Berisha nuk ka qëllim të fitojë zgjedhjet, por thjesht të ekzistojë në politikë për qëllime dhe axhendë tjetër. Dhe kjo nuk është axhenda e demokratëve dhe çdo opozitari, madje edhe çdo shqiptari që nuk është dakord me prepotencën apo fodullizmin qeveritar që sa vjen e rëndohet.
Njerëzit duan të shohin alternativën dhe ndryshim e ky ndryshim duhet ndërtuar mbi besim dhe njerëz që e mbartin atë. Me këta njerëz qe ka pranë vetes aktualisht dhe me këtë qasje të derisotme, Berisha nuk ofron alternativën që kërkojnë shqiptarët.
Nëse ai është peng i mirënjohjes ndaj shërbëtorëve të tij të së shkuarës në pushtet, të garantuar ka edhe humbjen e radhës edhe një tjetër fund më të turpshëm se ai i vitit 2013. Revolucioni kërkon vendime dhe sakrifica të forta. Nise revolucionin nga vetja dhe brenda sojit doktor.