Shkrime
Doktrina e re e dhunshme Monroe e Trumpit
Ana Palacio, Project Syndicate
“Ne thjesht do t’i vrasim njerëzit që sjellin droga në vendin tonë”, u tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Administrata e tij tashmë kishte filluar ta bënte këtë, duke përdorur sulme ajrore në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor për të shkatërruar anije të dyshuara për kontrabandë droge dhe për të vrarë ata që ndodheshin në to – deri tani të paktën 64 persona.
Me Trump-in që tani kërcënon të ndërmarrë operacione të ngjashme në tokë, po bëhen gjithnjë e më të qarta konturet e një doktrine të re dhe të dhunshme të politikës së jashtme të SHBA-ve.
Në vitin 1905, Presidenti Theodore Roosevelt e zgjeroi këtë ide me “korolarin e tij ndaj Doktrinës Monroe”, i cili thoshte se SHBA-të kishin një “përgjegjësi për të ruajtur rendin dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën” në vendet e Hemisferës Perëndimore.
Me fjalë të tjera, SHBA-të do të vendosnin vetë se cila ishte sjellje e pranueshme në vendet sovrane brenda “sferës së tyre të interesit” – dhe kishin të drejtë të ndëshkonin këdo që nuk përputhej me këtë.
Paralelet me qasjen e Trumpit janë të dukshme.
Përveç sulmeve ajrore të fundit, të cilat shpesh kanë ndodhur pranë ujërave të Venezuelës, administrata e tij ka rinovuar akuzat se qeveria e Presidentit Nicolás Maduro përbën një “kartel narko-terrorist”.
Shto këtu dhe një grumbullim ushtarak amerikan në Karaibe – duke përfshirë anije lufte, avionë zbulimi, avionë luftarakë dhe trupa – dhe duket se SHBA-të nuk po synojnë thjesht të ndërpresin tregtinë e drogës; ajo po synon ndryshimin e regjimit.
Por ka dallime kyçe mes Doktrinës Monroe dhe qasjes së Trump-it.
Si fillim, çfarëdo “detyrimi moral” që pretendonte të pasqyronte Doktrina Monroe është zëvendësuar nga një logjikë më hapur shtrënguese dhe e nxitur nga egoja.
Kështu, Kanali i Panamasë është një nyje strategjike që SHBA “po e rimerr”.
Meksika bën atë që administrata amerikane “i thotë të bëjë”.
Brazili do të ndëshkohet me një tarifë 50 për qind për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro për përpjekjen e tij, të frymëzuar nga Trump-i, për të përmbysur disfatën e zgjedhjeve të vitit 2022.
Dhe Kanadaja, e cila duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve, po ndëshkohet në mënyrë të ngjashme me pezullimin e bisedimeve tregtare për shkak të një reklame televizive në Ontario që përdori audio të presidentit Ronald Reagan duke kritikuar tarifat.
Ndërkohë, Trump ka autorizuar një paketë ndihme prej deri në 40 miliardë dollarësh për Argjentinën, për t’i dhënë mbështetje aleatit të tij ideologjik, presidentit Javier Milei – një marrëveshje që Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e ka quajtur thelbësore për një “Doktrinë të re ekonomike Monroe”.
Shprehjet e mirënjohjes dhe admirimt nga Milei – i cili sapo siguroi një fitore vendimtare në zgjedhjet afatmesme – ushqejnë egon e Trump-it dhe riafirmojnë udhëheqjen amerikane në rajon, ndërsa theksojnë erozionin e autonomisë së vendeve të Amerikës Latine.
Këto veprime pasqyrojnë perceptimin e Trump-it për marrëdhëniet brenda Amerikës si thelbësisht hierarkike, me pozitën e një vendi në renditje që përcaktohet nga përfitimet – dhe bindja – që ofron ndaj SHBA-ve dominuese.
Ndërsa presidentët e mëparshëm amerikanë përpiqeshin të pajtonin idealizmin e Woodrow Wilson-it me realizmin e Roosevelt-it, Trump i bashkon të dyja shtysat në një doktrinë të vetme e të paqëndrueshme: përjashtim pa përgjegjësi apo përmbajtje.
Një dallim tjetër thelbësor është se qasja e Trump-it formësohet nga populizmi i brendshëm.
Ashtu siç pretendon se po zhduk “armikun e brendshëm” – nga dislokimi i Gardës Kombëtare në qytetet amerikane te ndjekja ligjore e armiqve të perceptuar si ish-drejtori i FBI-së, James Comey – ai pretendon se po mbron SHBA-të nga “armiku” në prag të saj.
Duke e përkulur Hemisferën Perëndimore ndaj vullnetit të tij, Trump shpreson jo vetëm të afirmojë dominimin ndaj botës së jashtme, por edhe të forcojë autoritetin e tij në shtëpi.
Thirrja e administratës Trump që ushtria amerikane të përqafojë një “etos luftëtari” dhe vendimi për ta quajtur Departamentin e Mbrojtjes si Departamenti i Luftës (emri i para vitit 1947) shërbejnë për të njëjtat qëllime.
Implikimet shtrihen përtej Amerikës Latine.
Për Trump-in, takimi me presidentin kinez Xi Jinping nuk përbën angazhim mes rivalëve që kërkojnë ekuilibër, por një transaksion mes zotërve të sferave të tyre përkatëse.
Kjo ndihmon për të shpjeguar pse Trump e sheh përfshirjen e Kinës në Amerikën Latine përmes nismës “Brez dhe Rrugë” dhe praninë e saj në Kubë dhe Panama si provokime.
Kina, e cila vështirë se pranon të respektojë kufizimet që imponon Trump mbi “sferën e saj të ndikimit”, vazhdon të zgjerojë praninë e saj, nga rrugët detare të Paqësorit deri te infrastruktura afrikane.
Por në shumë mënyra, strategjia “dyfishe e qarkullimit” e Xi-së, që synon të balancojë vetë-mjaftueshmërinë me hapjen selektive, është një pasqyrë e asertivitetit të mbyllur të Trump-it.
Në fakt, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, Trump dhe Xi ndryshojnë më shumë në stil sesa në përmbajtje.
Të dy e refuzojnë rendin e vjetër multilateral dhe favorizojnë fuqinë mbi procesin.
Dekada përpjekjesh institucionale për t’ia nënshtruar forcën rregullave po shpërbëhen.
Kjo botë në zhvillim nuk është bipolare në kuptimin e ngurtë të Luftës së Ftohtë.
Përkundrazi, ajo ka dy qendra gravitacionale, të rrethuara nga fuqitë e mesme – si Brazili, India, Indonezia dhe shtetet e Gjirit – të cilat nuk kanë interes të tërhiqen në asnjë sferë ndikimi.
Nëse këto vende arrijnë të bashkëpunojnë mes tyre, kjo mund të vendosë nëse shekulli XXI do të degjenerojë në një lloj sistemi feudal, ku forca bën të drejtën, apo do të evoluojë në një rend më pluralist të kufizuar nga rregullat.
Ky transformim përbën një sfidë të frikshme për Evropën. Aleati i saj më i ngushtë tani e sheh sundimin e ligjit si një pengesë që duhet shkelur, dhe angazhimet e sigurisë si mjete për të avancuar qëllimet e veta.
Por, në vend që ta vajtojë këtë ndryshim, Evropa duhet të përshtatet, duke investuar në mbrojtje, duke thelluar partneritetet përtej Atlantikut dhe duke punuar me ata në “periferi” që ndajnë përkushtimin e saj ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ana Palacio, ish-ministre e Jashtme e Spanjës dhe ish-nënkryetare e lartë dhe këshilltare e përgjithshme e Grupit të Bankës Botërore, është ligjëruese vizituese në Universitetin Georgetown.
Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025.