Britania e Madhe, në kohën e qeverisjes së Boris Johnson, edhe pse u largua nga BE, vendosi të krijojë një qendër të posaçme për Ballkanin, që përbëhet nga ekspertë të ushtrisë dhe shërbimeve inteligjente, qendër që është nën drejtimin e një gjenerali ushtarak me përvojë të rëndësishme në rajon dhe më gjerë.
Gjenerali Stuart Peach, që drejton këtë qendër, erdhi pas një përvoje si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, përkatësisht ‘bordi military’ që harton strategjitë e intelegjencës dhe planeve operative.
Qendra Ballkanike, nuk është thjesht një aparat operativ që përqendrohet vetëm në raste krizash, por edhe një bërthamë studimi afatgjatë, afatmesëm e afat shkurtër të prognozave dhe këshillave për qeverinë britanike dhe Perëndimin, në lidhje me Ballkanin.
Përveç ekspertëve të inteligjencës ushtarake dhe teknologjike, ajo bashkëpunon me studiues e profesorë të ndryshëm për të përgatitur ‘know how’ strategjikë.
Në një analizë të përgatitur së fundmi, qendra britanike kishte parashikuar se Ballkani shumë shpejt do të trazohet, përpara se të nisë presidenca e Donald Trump. Synimi është i qartë, në mënyrë që palët e interesuara, pra fuqitë e mëdha apo ato rajonale, të kenë “duart në byrek” përpara se të ricaktohet “rendi i ri botëror”, ashtu siç parashikohet ndërmjet tre aktorëve të mëdhenj: SHBA, Kina dhe Rusia.
Dokumenti britanik shënon Bosnjën, veriun e Kosovës, Maqedoninë e Veriut, si vendet më të rrezikuara për tu destabilizuar, por nuk lë prapa as Malin e Zi e Shqipërinë.
Për Bosnjën, dokumenti thekson se dy prej qarqeve më të mëdhenj të pushtetit kontrollohen nga Moska dhe Ankaraja. Republika Srbska e Milorad Dodikut, është tashmë një vasale totale e Vladimir Putinit dhe ka humbur çdo sovranitet. I gjithë buxheti, por edhe 2/3 e ekonomisë është e varur nga Rusia, përkatësisht nga Gazprom, që është realisht rrogëdhënësi i etnitetit reaksional të Bosnjës.
Ndërkaq, qarku tjetër i Pushtetit në Sarajevë, partia Aksioni Demokratik që u themelua nga Alija Izetbegoviç është një instrument në duart e Rexhep Taip Erdogan. Sarajeva, ajo pjesë ku banon e kontrollon popullsia muslimane, po humb çdo ditë e më shumë fytyrën moderne, dhe i është kthyer normës osmane urbane, ku TIKA është investitori kryesor.
Raporti i inteligjencës thekson se lidhja e qarqeve të Dodikut me veriun e Kosovës është direkte, ngaqë një pjesë e madhe e parave për të blerë heshtjen e popullsisë dhe për të armatosur bandat vinë nga kanalet ruse të Republika Srbskas. Siç u zbulua që edhe armët që u kapën në Banjskë vinin nga Bosnja.
Nuk ka asnjë surprizë që gjithçka ndodhi paralel në kohë me ngjarjet e tjera në lindjen e Mesme, ku pozitat e Rusisë në Siri po dobësohen nga avancimi i opozitarëve të Bashar Al Asadit.
Hapja e frontit të Ballkanit është një synim i Putinit, për të krijuar kaos, por edhe përçarje politike brenda vendeve anëtare të NATO-s.
Raporti thekson, se nga ana tjetër edhe Erdogan, është i interesuar që të krijojë trazira, për të mos lejuar që të forcohet faktori kurd në Siri, që duket se ka shpërthyer tashmë, e mund të ndizet deri më 20 janar.
Britanikët thonë gjithashtu, se në Maqedoni situata është mjaft afër një konflikti mes shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve, ku parashikon një përplasje të eger në fillim të vitit të ardhshëm. Qëllimi rus është që të dobësojë e të nxjerrë jashtë kontekstit faktorin shqiptar që është aleati më i ngushtë i SHBA. Ndërkaq, edhe në Maqedoninë e Veriut, influenca turke është shumë e madhe, sidomos brenda faktorit shqiptar. Partitë shqiptare që qeverisin sot me maqedonasit e Mickovskit, janë grupe të themeluara dhe financuara nga Erdogani.
Por edhe Shqipëria nuk mbetet jashtë, madje ka paralajmërime dramatike, ku theksohet se shërbimet shqiptare kanë zbuluar disa herë këtë vit raste të dyshuara pranë digave dhe infrastrukturave energjetike. Edhe pse nuk janë raportuar në publik, raporti thekson se dy herë janë shkatërruar linjat e tensionit të lartë, kryesisht ajo me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.