Shkrime
Donald Trump bombardon Komitetin e Nobelit pas hezitimit për t’i dhënë Çmimin e Paqes

Patronazhisti – Rubrika satirë – VoxNews.al
I vendosur për të lënë gjurmë në historinë botërore si presidenti më i mirë i sistemit diellor, bosi gjigand i Ameriks, elokuenti, largpamësi, eksperti i të gjitha fushave – siç e dinë të gjithë, siç e thonë të gjithë, do thoshte ai vetë – super-ekonomisti, ekstra-strategu dhe idhulli i një globi të hajvanizuar me të njëjtën shpejtësi me të cilën u përhapën mediat sociale, pra Trampi, deklaroi dje se kishte urdhëruar bombardimin e zyrave të komitetit të Çmimit Nobel në Stokholm, Suedi, pasi këta të pacipë po ngurronin ca si shumë t’i jepnin Nobelin e Paqes.
“Ky komitet i lig na ka ofenduar me zvarritjet e tija,” tha Trampi, që flet gjithmonë në shumës për veten, “ne nuk dinim – askush nuk e dinte, në gjithë botën – si të silleshim me këta maskarenj majtisto-socialistë që i kanë pirë gjakun Ameriks: T’u vendosnim tarifa 2500%? Ta aneksonim komitetin si shteti i 51-të i Ameriks? T’u qëndisnim ndonjë urdhër bukurosh presidencial për ndalim hyrjeje në vendin tonë? Në fund, ne vendosëm zgjidhjen më elegante: T’i zgjojmë nga gjumi marksist ku janë zhytur, me nja tre-katër bomba të lezetshme.”
Dhe Trampi përsëriti frazën që sapo ja kishte pëshpëritur një anëtar i stafit, të cilin e mbanin si më të lexuarin e Shtëpisë së Bardhë: “Vetëm kur ke parë luftën, e kupton vlerën e çmimit të Paqes!”
***
Në një ngjarje të rrallë për Amerikën, zgjedhësit e votuan gjithë hare Trampin për një presidencë të dytë. Mesa duket, ishin të impresionuar nga presidenca e parë, kur ai udhëzoi popullin ta luftonte Covidin duke pirë ilaç rrobash dhe duke bërë gargarë me acid klorhidrik.
Dhe herën e dytë, Trampi e kishte vendosur: Do ta linte botën të vriste veten, dhe do merrej vetëm me begatimin e Ameriks. Kështu bëri:
Gjithë miliarderëve që e mbështetën, brenda tre javëve të parë ua përgjysmoi pasurinë me lëvizjet inteligjente ekonomike, duke bërë që edhe vetë Elon Masku më në fund të linte drogën dhe të kuptonte se po bëhej fukara.
Por para se Eloni të kthjellohej, Trampi e kishte vënë të kursente paratë e taksapaguesve amerikanë duke hequr nga puna mijëra taksapagues amerikanë në ente e institucione të ndryshme qeveritare. Çmimi i vezëve arriti qiellin dhe nga kufiri me Meksikën, për nja tre muaj në vend të kokainës filluan të hyjnë kontrabandë vezë fshati me dy të kuqe. Ndërkohë të gjitha emisionet televizive të mëngjesit, këshillonin amvisat si të mbarështonin pula në apartament.
Ndërkaq, i vendosur të mos merrej fare me botën, deklaroi se do aneksonte Kanadanë, do merrte mbrapsht kanalin e Panamasë, do vidhte Groenlandën dhe do ta mbushte Rripin e Gazës me resorte turistike përmes investitorëve strategjikë (këtë idenë e fundit nuk është ende e qartë se nga e huazoi).
***
Por fiksimin e vjetër, mesa duket Trampi e kishte me Nobelin e Paqes. Zërat thonë se nepsi për të marrë çmim si paqebërës, e kishte zënë qëkur kishte hyrë në gjendje lufte me të shoqen, e cila me përjashtim të ceremonive zyrtare, sot e kësaj dite kërkon që në çdo moment tjetër të jetë të paktën 2 mijë kilometra larg të shoqit.
Dhe rasti i erdhi në dorë. Shokut të vet hebre, Bibit, po i mbaronin palestinezët, edhe pse ky i shkreti po tregohej i kujdesshëm, duke i vrarë jo të gjithë njëherësh, por nga 50-100 çdo ditë.
“Dëgjo vlla, do t’i bie Iranit se më duhet një luftë patjetër, palestinezët më mbaruan,” i tha Bibi Trampit, “por më duhen ca nga ato bombat e tua. Më ndihmon dot?”
“Me një kusht,” i tha Trampi, “pasi t’i hedhim bombat, unë do shpall armëpushimin dhe ti do më propozosh për çmimin Nobel të Paqes. Okej?”
“Papapa, biznesmen i paparë që paske qenë, qenka e zorshme të negociosh me ty o mjeshtër,” ja ktheu Bibi, që gjithnjë e ka karakterizuar sinqeriteti.
Dhe kështu bënë. Pasi Trampi i hodhi ca bomba 700 milionë tonëshe Iranit, deklaroi se tani lufta mbaroi dhe kishte filluar paqja.
“Ne vendosëm paqen,” tha ai prapë modestisht në shumës për veten, duke përdorur një shprehje brilante të Nard Ndokës, “sepse në luftë vriten më shumë njerëz sesa në paqe. Ndërsa në paqe vriten më pak. Të paktën jo aq shumë sa në luftë. Prandaj ne jemi duke menduar a ta pranojmë apo jo, Çmimin Nobel për Paqen!”
***
Pas bombardimit të zyrave të Nobelit në Stokholm të Suedisë, Trampi përsëriti skemën e Iranit:
“Tani ne vendosëm të bëjmë paqe,” deklaroi ai, “por me një kusht: Të na jepni çmimin Nobel të Paqes. Përndryshe do dërgojmë marinsat ta marrin çmimin vetë dhe të na e sjellin”.
Çuditërisht, përgjigja po vononte.
Vetëm disa orë më vonë, më i lexuari i stafit të Shtëpisë së Bardhë mori guximin ta informojë se zyrat e Suedisë jepnin vetëm Nobelin e Letërsisë, Kimisë, Fizikës e Mjekësisë. Ndërsa Nobelin e Paqes e jepte Komiteti i Oslos, Norvegji.
Atë moment Trampi u nervozua, si atëherë kur e mori policia e Nju Jorkut dhe e çoi para gjykatës.
Hapi hartën e botës, që mezi kishte mësuar ta shpaloste, dhe pasi e pa me kujdes, tha:
“Oslo, Oslo… s’po e gjej dot ku është. A i biem Kanadasë?”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e mrekulluar me pikën ku ka mbërritur kjo botë

