Aktualitet
‘Donte të demaskonte Gjicin’, avokatja e Almës nxjerr fakte të reja
Avokatja e Alma Kaçit, Natasha Velia Pelliccione, në një intervistë në “Shqipëria LIVE”, ka zbuluar detaje të reja për të. Ajo është shprehur se Alma ka punën në natyrën investigative, për të demaskuar personalitete të tilla në administratën shtetërore. Avokatja tha ndër të tjera se Alma dhe Safet Gjici nuk kishin asnjë lidhje, dhe se video është realizuar për të demaskuar këtë zyrtar shtetëror. Por kjo çëshjte nuk mbetet me kaq, pasi sipas saj, Alma ka demaskuar dhe personazhe të tjerë. Lidhur me videon e cila u bë virale, avokatja thotë se ka ndodhur aksidentalisht.
“Alma dhe Safet Gjici nuk kishin asnjë lidhje. Ajo ishte e vetëdijshme për të kryer një inskenim, për ta demaskuar këtë zyrtar shtetëror. Ata njiheshin në mënyrë sipërfaqësore. Aktin seksual e ka kryer për ta demaskuar Gjicin.
Unë nuk jam e autorizuar të nxjerr punën e saj. Ajo ka punuar në natyrën e saj investigative, ka kryer këtë funksion, duke demaskuar personalitete të tilla në administratën shtetërore. Ajo ka demaskuar dhe personazhe të tjerë. Ajo nuk ka dashur që video të bëhet virale, ndodhi aksidentalisht. Alma ishte me një funksion të caktuar, për ta demaskuar Gjicin.
Sa i përket projektit, u përdor që të bëhej më i besueshëm roli i saj. Projekti ekziston, por nuk ishte objekt për t’u bërë tender, për t’u realizuar. Ajo e ka një projekt në dorë, sepse është aktiviste për kafshët prej kohësh dhe u përdor për ta bërë më të besueshëm rolin e saj. Ajo beson se i ka prerë këmbët një të keqeje. Nuk ka bërë denoncim për skandal seksual, dhe nuk më ka thënë gjë nëse do e bëjë”, tha avokatja.
Një ditë më parë, 40-vjeçarja Alma Kaçi tha në Gjykatën e Posaçme se ka pasur lidhje me ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Ajo u shpreh se kur ka shkuar herën e parë në takim me të, Gjici e ka ngacmuar seksualisht, ndërsa në takimin e dytë ka kryer marrëdhënie intime me dëshirën e saj, por ka vendosur ta filmojë. Gjykata e Posaçme e la në “arrest shtëpie”. Ajo mbërriti dhe u largua nga ambientet e GJKKO-së pa e treguar fytyrën.