Rajon
“Dora e zgjatur” e Putin në Beograd/ Si inteligjenca ruse ndihmon Rusinë të shtypin protestat

Autoritetet serbe u janë mirënjohëse shërbimeve speciale ruse për informacionin që ofrojnë për të ndihmuar në luftën kundër revolucioneve me ngjyra, deklaroi zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin në një intervistë për “RIA Novosti”, raporton agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
“Unë u jam shumë mirënjohës shërbimeve speciale ruse, të cilat na mbështesin gjithmonë në luftën tonë kundër revolucioneve me ngjyra, kryesisht me informacione”, tha ai.
Vulin shtoi se “ata (shërbimet ruse) e dinë se çfarë lloj rreziku i kanoset Serbisë”, siç thuhet në faqen e internetit të RT Balkan.
“Ne kemi komunikim shumë të mirë dhe jam shumë mirënjohës për këtë”, tha Vulin.
Ai gjithashtu përmendi se më herët shërbimet speciale të Rusisë dhe Serbisë zyrtarisht ranë dakord të bashkëpunojnë në luftën kundër revolucioneve me ngjyra dhe se, siç theksoi ai, “kjo mbetet në fuqi”. Ai theksoi se respekton qytetarët pjesëmarrës në protesta, por beson se “nuk duhet të ketë ndërhyrje të huaja në këto procese”.
“Ne respektojmë numrin e madh të njerëzve që erdhën në mitingun e 15 marsit në Beograd dhe të drejtën e tyre për të shprehur pikëpamjet e tyre. Por ne besojmë se të huajt nuk duhet të ndërhyjnë në të gjithë këtë. Dhe duhet të pranoj se tashmë është një fakt i njohur gjerësisht se ky është një revolucion me ngjyra, i financuar dhe organizuar nga shërbimet e inteligjencës perëndimore”, tha Vulin.
Artikulli përmend gjithashtu se ai pranoi se shumë qytetarë të thjeshtë dhe të sinqertë marrin pjesë në mitingje, por pas tyre janë aktivistë të punësuar nga Perëndimi, OJQ dhe ambasadat.

