Connect with us

Politike

Dosja “Ahmetaj” në GJKKO, priten urdhër-arreste për persona të tjerë

PS dhe PD bashkuan votat duke i dhënë dritën jeshile SPAK-ut, për të kërkuar në GJKKO prangosjen e ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollit të banesës së tij. Kartonëve jeshilë iu bashkua e gjithë qeveria. Me 117 vota pro, asnjë kundër e tre abstenim Kuvendi i hapi rrugë arrestimit të ish zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollit të banesës.

Prokuroria e posaçme iu drejtua GJKKO-së me kërkesën për masën e sigurisë ndaj ish-zv.kryeministrit Ahmetaj rreth orës 18.00 të premten e 14 korrikut, pas votimit të kërkesës për heqjen e imunitetit në Kuvend. Gjyqtari i gatshëm Erion Bani, mori në dorë kërkesën e SPAK-ut për ish-zv.kryeministrin e akuzuar për korrupsion pasiv në 6 raste, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, zyrtari më i lartë i përballur ndonjëherë në Shqipëri me masën e arrestit. Burime jo zyrtare, thonë se në kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë, janë përfshirë edhe persona të tjerë përveç Ahmetajt.

SPAK i është drejtuar gjykatës, duke kërkuar urdhër-arreste, për njerëzit e përfshirë në dosjen hetimore ndaj Arben Ahmetajt, dosja që u fillua si hetim për inceneratorët dhe shpërdorimin e detyrës, më pas është kaluar si një dosje ku është hetuar i gjithë historiku dhe aktiviteti politik dhe publik i Arben Ahmetajt.

Sipas pretendimit të bërë nga vetë Ahmetaj dhe avokatët e tij, SPAK ka hetuar çdo pronë, pasuri dhe aktivitet të 25 viteve të fundit. Bëhet me dije se materiali voluminoz për Arben Ahmetaj dhe persona të tjerë, është zbritur në gjykatë për analizim dhe tashmë vlerësimi final i arrestit pritet të firmoset në vijim nga gjyqtari Erion Bani.

Kujtojmë këtu se pak ditë më parë ishte deputeti Saimir Korreshi i cili tha se në dosjen e SPAK-ut për Arben Ahmetajn përfshihen edhe deputetë të opozitës, por zgjodhi të mos flasë me emra konkretë. Ai u shpreh se është shpejt të flasë me detaje, sepse nuk ka lexuar të gjithë materialin. “Me të thënë të drejtën, sikur më ra syri diçka, por është shpejt ta them se nuk e kam studiuar materialin”, tha ai.

Advertisement