Politike
Dosja Beleri/ Rama: Nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në emisionin “Real Story” , se nuk duan konflikte dhe as estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon. Sipas tij, Greqia një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, pasi me të na lidh historia, fqinjësia dhe e ardhmja.
Sakaq, Rama ka theksuar nga Parisi se nuk e pranojmë dot të trajtohemi pa respekt, pasi gjithçka është reciproke.
Pjesë nga intervista:
\Folët për ndryshimin e klimës në grupin e vendeve skeptike ndaj Shqipërisë, ku padyshim Holanda mban vendin e parë, Franca të dytin por padyshim edhe vende të tjera përfshi edhe Gjermaninë. Sot raportet e Shqipërisë, e qeverisë tuaj, me vendet e BE janë të shkëlqyera, përjashto Greqinë.
Rama: Është një moment, është një moment që do kalojë. Shqipëria është sot një vend, me një profil, besoj unë të qartë që duhet ta konsolidojmë në vazhdim. Ne duam miqësi me të gjithë miqtë, ne duam absolutisht jo vetëm miqësi por duam partneritet strategjik me Greqinë me Italinë, me Turqinë. Ne nuk duam konflikte, ne nuk duam sherr, ne nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon, ne duam të kemi sa më shumë kushte për të promovuar paqen bashkëpunimin etj etj. Një gjë nuk e pranojmë dot dhe nuk do ta pranojmë që të trajtohemi pa respekt. Për sa kohë trajtohemi me respekt, për sa kohë trajtohemi me të njëjtin respekt që japim ne jemi në rregull.
Pra, ju thoni që Greqia ka munguar në respekt ndaj nesh?
Rama: Jo, jo, jo.. Në rastin e Greqisë ne e kemi bërë shumë të qartë, që në krye të herës. Greqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Greqinë na lidh historia, na lidh fqinjësia, na lidh e ardhmja. Unë e kam thënë hera herës diçka që në fakt nuk ka nevojë as të përsëritet dhe që të gjithë do ta kenë parasysh, fqinjin nuk e zgjedh, fqinjin e ke. Gjyshja ime, ndjesë pastë, thoshte fqinj i mërzitur, shtëpi e sekëlldisur. Pra, nëse fqinjësia ushqen sekëlldi dhe ushqen mërzi nuk është e mirë. Greqia ka marrë një pozion të caktuar në këtë periudhë kohe, ne nuk kemi reaguar përvec se kemi nënvizuar faktin që ne nuk lëvizim, nuk lëvizim nga pozicioni ynë për arsyen e thjeshtë se ne këtë pozicion nuk e kemi marrë në raport me Greqinë, nuk e kemi marrë në raport me një individ, ne këtë pozicion e kemi marrë në raport me veten dhe me të ardhmen që është pozicioni që Shqipëria duhet të ketë një drejtësi të pavarur. Dhe nëse ne nuk lëvizim nga ky pozicion për shumë raste që lidhen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare ne nuk kemi pse të lëvizim për një qytetar të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke, apo me kombësi franceze është e njëjta gjë.
Ju thatë që kjo është një situatë që ju do ta zgjidhni, si do ta zgjidhni? Keni deklaruar se do pritet fundi i gjyqit. Tashmë aty kemi një kryetare bashkie që për fat mori vota për të cilat kishte nevojë Himara, edhe nga krahët e tjerë. U duk si një reflektim në heshtje edhe nga partitë e tjera opozitare, përveç asaj minoritare, por keni thënë që nuk do ketë zgjedhje. Ka shkuar prefekt z. Tavo, me marrëdhënie të shkëlqyera me Athinën, a është ky fillimi i zgjidhjes së situatës në Himarë.
Rama: Problemi në vetvete, që lidhet me një emër të veçantë është një problem i drejtësisë dhe atë problem do e adresojë deri në fund vetëm drejtësia. Në këtë pikë, pozicioni ynë nuk ndyshon dhe në këtë pikë nuk ka asgjë, asgjë, asnjë lloj qasje politike, asnjë lloj presioni.
Megjithëse vendimi që ju keni marrë është disi i diskutueshëm nga pikëpamja ligjore, që thoni nuk do ketë zgjedhje..
Rama: Jo, ta shpjegoj. Në këtë aspekt nuk ka çfarë ndryshon asgjë dhe ne jemi aty ku kemi qenë që në sekondën e parë, dhe na vjen keq shumë që nga ana e fqinjëve dhe e miqve tanë grekë kjo nuk është kuptuar si duhet, apo nuk është vlerësuar sa duhet, është menduar që me presion mund të lëvizim nga ky pozicion sepse kjo nuk ka për të ndodhur. Ndërkohë ne marrëdhëniet dhe komunikimet i kemi të vazhdueshme dhe as bëhet fjalë që të djegim organin për një plesht, nuk bëhet fjalë. Ne kemi vetëm pozitivitet dhe vetëm dëshirë pozitive që marrëdhëniet me Greqinë të ngjiten nivelin më të lartë të mundshëm të parneritetit, të miqësisë, të fqinjësisë e kështu me radhë.