Aktualitet
Dosja Beqaj/ Kontrata që i vuri ‘tritolin’ heshtjes dhe rehatisë së ish ministrit të arrestuar
TIRANË– Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është arrestuar. Sipas raportimeve janë vënë në pranga edhe dy persona të tjerë. Sipas informacioneve arrestimi është bërë me kërkesë të SPAK për abuzime me fondet e Bashkimit Europian. Ndërkohë pritet një reagim zyrtar për informacione të mëtejshme.
Beqaj ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Ai e ka mbajtur detyrën deri në momentin që u detyrua të japë dorëheqjen pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit. Prej datës 28 dhjetor 2023, me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle edhe në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera kryesisht në Tiranë. Kontrollet kanë ardhur pasi ndaj Beqajt nisi hetim për lidhjet që ish-ministri ka pasur ose ka me këto kompani, dhe mënyrën sesi janë lidhur kontrata kur ky i fundit ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Sterilizimi”
Ish-ministri është në hetim nën masën “detyrim paraqitje” për kontratën koncensionare të sterilizimit. Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit, pas arrestimit të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin. Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
…Plotesuese – 👇
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është nën hetim nga SPAK për koncesionin e Sterilizimit, është arrestuar.
Raportohet se në pranga janë vendosur gjithashtu edhe dy persona të tjerë.
Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për koncesionin sterilizimit dhe dërgoi më 30 mars në Gjykatën e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj, biznesmeni që fitoi tenderin, Ilir Rrapaj, si edhe 6 të pandehurit e tjerë.
Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu në këta tregues financiar Klodian Rjepaj, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.
Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.
Sipas SPAK, gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues biznesmenin.
Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohet se kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta.
Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet se për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn.