Politike
Dosja ‘Çyrbja’/ “T’i bëjmë shefit dy kostume”, si Altin Hajri ndërhyri në lirimin e kunatit
Janë zbardhur të tjera detaje që kanë çuar në arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja. Top Channel shkruan se ndërkohë që qindra qytetarë procedoheshin nga policia për ndërtime pa leje gjatë vitit 2020, jo kjo nuk ndodhte ndaj kushëririt të të shumë kërkuarit Altin Hajri. Përmes Sky ECC, Hajri kërkonte ndërhyrjen e shefit të komisariatit.
Si garant Hajri dyshohet se kërkonte ndërhyrjen e Jurgis Çyrbes dhe në këmbim premtonte se do të jepte një ‘kafe’.
Në një rast i shumë kërkuari shprehet i shqetësuar për arrestimin e dy personave për të cilët i kërkon deputetit të ndërhyjë tek policia për t’i liruar dhe për këtë premton se mund të paguheshin deri në 20 mijë euro. Një prej të arrestuarve ishte kunati i Hajrit.
Në një tjetër bisedë, Hajri shprehet i gatshëm që shefit i cili i kishte ndihmuar t’i merrnin masat me stil për t’i bërë dhuratë dy kostume. Nuk mungojnë edhe bisedat për angazhim në zgjedhje në mënyrë që Çyrbja të ngjitej në listë. Për votimet e 2021 Altin Hajri premton se do t’i jepte 3 duke shtuar më tej se numri tre ishin fshatrat: Rromanat Maskuri dhe Arapajl.
SPAK po identifikon përdorues të tjerë të Sky ECC si edhe njerëz me pushtet në Durrës të cilëve u përmendet emri me shkurtime. Në biseda kanë dalë edhe Plarent Dervishaj, Julian Meçaj apo Besim Huqi, të cilët interesohen për lëvizjet sekrete të policies.
Në një rast tjetër, Kreshnik Budlla shkruan: Çfarë të bëjmë punë s’kemi, në kërkim jemi.
Në një episod tjetër, Jurgis Cyrbja jep alarmin në 6 në mars 2021: N’orën pesë vijnë ata të Tiranës lajmëro ça të kesh mundësi. Ky mesazh i është dërguar Kreshnik Budllës, alias Kreshnik Farruku.
Jurgis Çyrbja u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit. Ish-deputeti socialist dorëzoi mandatin disa ditë para se t’i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti i ka siguruar strehë Altin Hajrit dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë.