Connect with us

Aktualitet

Dosja e 21 janarit/ Xhaxhai i Aleks Nikës takohet me Altin Dumanin

Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika është takuar me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Në takimin e bërë me dije për mediat, Mark Nika mësohet se i ka kërkuar Dumanit që dosja e 21 janarit dhe vrasjes së nipit të tij të tërhiqet në SPAK. Nika tha se audio përgjimin e plotë të Gardës do ia dorëzojnë vetëm Prokurorisë së Posaçme, pasi s’kanë besim tek Prokuroria e Tiranës. Sipas tij, Dumani i ka thënë se do marrin dosjen e Nikës në SPAK nëse ajo plotëson kriteret.

“Me kërkesën tonë na priti SPAK. Nuk kemi më besim te Prokuroria e Tiranës. Na thanë se do respektohen të gjitha procedurat për të provuar klauzolat që çështja të merret në dorë të SPAK. Prokuroria e Tiranës ka 12 vjet që e mban dosjen dhe nuk na jep informacion në lidhje me çështjen. Ai tha se nëse plotësohen kriteret që dosjen duhen ta marrë SPAK nuk hezitojmëNuk ka bërë premtime. Ai tha që çështja do të trajtohet sipas procedurës që ka. Nëse plotëson kriteret që duhet ta marrë SPAK-u, ne nuk hezitojmë tha. Duhet të plotësojmë të gjithë dokumentacionin që duhet pasi SPAK-u funksionon pa prova. Nëse nuk merret SPAK ajo çështje do të varroset përfundimisht. Ne do të plotësojmë të gjitha kushtet që ajo çështje të merret nga SPAK-u. Sepse SPAK-u ka të gjitha garancitë ligjore, morale dhe profesionale. Aty janë prokurorët më profesional, më të mirë, më të zotë më trima. Pasi kjo çështje do dhe prokurorë trima dhe profesional. Pasi e kanë të vështirë ata të thërrasin Berishën dhe ish-liderin e opozitës Basha për tu marrë në pyetje,”- tha Nika.

Mark Nika thotë se e ka audio-përgjimin e plotë, por sot nuk ia ka dorëzuar atë kreut të SPAK. Ai këmbëngul se nuk do ta dorëzojë audio-përgjimin nëse kjo çështje nuk i kalon SPAK, ndërkohë që tregon se ishte ai që ia ka dhënë audio-përgjimin gazetarit Artan Hoxha.

“Audion e plotë e kemi ne. S’kanë punë gazetarët dhe do ja dorëzojmë vetëm SPAK, se Tirana do na e deformojë. Nuk është kompetencë e SPAK pa tërheqë çështjen. Janë çështje të brendshme derisa të respektohen procedurat. Nuk ka qenë takimi për të dorëzuar audio-përgjimin. Kemi shkuar që SPAK të ndërhyjë, që çështjen ta tërheqin ata. Kemi kërkuar të pyeten ata që kanë dijeni për krimin.

Kasetën ja kemi dhënë ne gazetarit. Të merret vetëm nga SPAK-u. E kemi pasur që në fund të muajit korrik të 2022. Kujt ja japim ne atë! S’kemi besim te askush. Është e manipuluar, ka përputhje zëri me veprimet objektive që janë kthyer në terren. Urdhri dhe qëllimi me automatik. Këto kërkojnë që çështjen ta mbyllin,”-shtoi ai.

Takimi i tij me kreu e SPAK, vjen disa ditë pas publikimit të audio-përgjimit për 21 janarin. Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.

Advertisement