Politike
Dosja e Charles McGonigal/ PS me qëllim të qartë e deklarata të ndryshme
Skandali me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal ka pushtuar mediat, Opozita ka organizuar protesta të fuqishme, ndërsa maxhoranca ka vetëm një qëllim: Si të shmangë ngritjen e Komisionit Hetimor për këë dosje!
Fokusi duket se është i qartë, por mënyra se sip o përpiqen ta shmangin këtë gjë, jo. Nga vetë kryeministri Edi Rama deri tek më ‘besnikët’ e tij, deklaratat kanë qenë kontradiktore.
I ftuar një natë më parë në “Opinion”, Rama deklaroi se nuk ka asnjë shans që Kuvendi të ngrejë një Komision Hetimor lidhur me marrëdhënien e tij me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Ai u shpreh se opozita nuk mund ta përdorë parlamentin si një hapësirë manipulimi për çështje të kësaj natyre, pasi sipas tij, nuk kanë asnjë bazë.
“Më vjen jashtëzakonisht keq por kjo nuk ka për të ndodhur sepse është një abuzim ekstrem me çdo normë etike, me të gjitha sepse të marrësh zvarrë njerëzit prej ditësh duke tundur atë (dokumentin) duke thënë se Kryeministri është bërë pjesë e aferës së madhe. Ata kanë të drejtë që të besojnë që unë jam jo djali i Kristaq Ramës, por i Satanait. Por ta mbajnë për vete. Nuk kanë shans ta përdorin parlamentin në një hapësirë manipulimi dhe propagande ekstreme pa asnjë bazë. Nuk ka shans të pranohet Komisioni Hetimor se ka një cak,”-tha Rama.
Por ndryshe mendon Taulant Balla…
Një ditë më parë, drejtuesja e seancës plenare, Ermonela Felaj lajmëroi se nuk do të kishte një vendim për ngritjen e këtij komisioni, pasi ekziston një proces për ndryshimin e ligjit që ka ndërmarrë Kuvendi.
Kryetari i grupit parlametar socialist, Taulant Balla, i cili e kishte paralajmëruar këtë qëdrim të mazhorancës që kur u dorëzua kërkesa e opozitës, e mbrojti vendimin si një detyrim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, po pa sqarur se cilit vendim i referohej. Ai tha se çështja e kërkesës për komision hetimor është ende në Konferencën e Kryetarëve dhe se aty ka marrë pjesë vetëm Enkelejd Alibeaj, i cili nuk është as firmëtar.
“Vendimet e Gjykates Kushtetuese zbatohen automatikisht. Ndaj është ngritur një komision i posaçëm për ndryshime në ligjin ku të transfuzohen këto vendime. Pyetja që shtrohet është a do respektohen rregullat në Kuvendin e Shqipërisë? Sot të gjitha kërkesat e opozitës kanë marrë rrugë. Çështja e kërkesës për komision hetimor është ende në Konferencën e Kryetarëve. Kam pasur komunikim me ju dhe komunikimet me ju e bëjmë për të komunikuar edhe me ata që nuk i gjejmë që janë opozita. Në atë seancë të konferencës së kryetarëve ka marrë pjesë vetëm zoti Alibeaj dhe në fakt nuk ishte as firmëtar i asaj kërkese. Jemi gjendur përballë një fakti që me thënë të drejtën ne nuk bëjmë kurrë leksione gazetarie, sepse ju jeni pushtet i pavarur, por do kisha një pyetje publike për zotin Belind Këlliçi. Ai është deputet i Kuvendit. Në atë kërkesë për komision hetimor ka firmosur vetë? Sepse është dokument zyrtar. Nëse ka firmosur vetë, kam një pyetje për zotin Belind Këlliçi, di ta shkruash emrin tënd”, tha Balla.
Ndërsa për ministren Elisa Spiropali, nuk do të ketë komision hetimor, pasi nuk ka një çështje për tu hetuar. Ajo tha se kryeministri Edi Rama do të japë shpjegime në mocionin për debat për qytetarët, por çështje për ngritjen e një komisioni, nuk ka.
“Ju nuk po lejoni që zhvillimi i një mocioni me debat për këtë temë t’i vërë një kapak njëherë e mirë kësaj historie që nuk ka të bëjë me ne, por me situatën tuaj. Ju jeni bërë një ndihmës i ‘Non grata’. Jeni kthyer në qiriun e një njeriu që nuk ka mundësi të kthehet kurrë në piramidën e lidershipit të vendit. Ju nuk meritoni përgjigje kështu siç jeni katandisur. Ai do të vijë për qytetarët shqiptarë për tu dhënë shqiptarë sepse ata meritojnë ta dijnë. Ju grupi i bilbilave që drejtoheni nga Spaho nuk meritoni asnjë përgjigje,”- tha Spiropali.
Kërkesa e firmosur nga 42 deputetë të opozitës ka si bojekt verifikimin e “nxitjes, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.