Bota
‘Dosja Kosova’ zgjidhet pas luftës në Ukrainë
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Bochan-Kharchenko dërgoi një mesazh të qartë se vendi I tij do të përdorë çështjet e hapura në Ballkan për të arritur qëllimet e Rusisë në lidhje me përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ambasadori rus në Serbi tha se statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet “në kushte të tjera gjeopolitike” pas përfundimit të “konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës”, në të cilin, siç thotë ai. Rusia me siguri do të fitojë. Në një intervistë për agjencinë Beta, ai u shpreh se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Ai po ashtu tha se për Rusinë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qëndrimi i Beogradit për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në OKB do të jetë i rëndësishëm dhe se mendon se nuk ka as më të voglën gjasa që Serbia të pranojë planin, sepse pikat që parashikojnë njohje ndërkombëtare nuk janë të pranueshme për Serbinë.