Connect with us

Politike

Dosja “Partizani”/ Shtyhet gjyqi për Berishën dhe Malltezin, ja kur jepet vendimi

Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për çështjen “Partizani”, ku të përfshirë janë Kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Bëhet me dije se Gjykata e Posaçme ka kërkuar dy javë kohë që të dalë me një vendim lidhur me kërkesat paraprake të të pandehurve të dosjes Partizani. Në seancën e sotme Prokurori i Posaçëm, Arben Kraja kundërshtoi pretendimet e palës mbrojtëse që kërkojnë pavlefshmëri të akteve të dosjes, çka do të sillte dhe pushimin e çështjes penale.

Në këtë çështje janë të pandehur gjithsej pesë persona: ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina dhe Xhimi Begeja. Çështja do të gjykohet nga magjistratja Elsa Ulliri, e cila u përzgjodh pas hedhjes së shortit. Anëtarë të trupës gjykuese janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Prokuroria ka ngritur ndaj Berishës akuzën për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa ndaj Jamarbër Malltezit rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, akuzohen për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, lidhur me veprimtarinë e kompanisë “Homeplan”.

Advertisement