Politike
Dosje prej 400 fletësh/ Arrestimi i Ahmetajt, rrezikon 12 vjet burg
Parlamenti nisi mbrëmë me dyer të mbyllura diskutimet në Këshillin e Mandatave dhe Imuniteteve me praninë edhe të prokurorëve të SPAK-ut. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me përmbajtjen e diskutimeve. I vetmi njoftim është largimi i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj më 7 korrik 2023 nga Shqipëria, datë kur SPAK-u nxori vendimin për arrestimin tij.Ky përkim kohor lë hapësirë për të hamendësuar që ka ndodhur rrjedhje informacioni dhe Ahmetaj e ka ditur paraprakisht vendimin e SPAK-ut.
Largimi nga Shqipëria u bë i ditur nga avokatët e tij, të pranishëm në diskutimet e mbrëmshme dhe publik nga përfaqësuesit e opozitës në këtë këshill.
Bardhi: Përpjekje antikushtetuese për të ndihmuar Ahmetajn
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, shtyrja e marrjes së vendimit për autorizimin e kërkuar nga SPAK-u përbën “një përpjekje antikushtetuese dhe të paligjshme për të ndihmuar ish-zëvendëskryeministrin t’i shpëtojë drejtësisë”.
Burime zyrtare thanë për DW që shtyrja e marrjes së vendimit u kushtëzua nga kërkesa e avokatëve të Ahmetajt për t’u njohur me dosjen e SPAK-ut, proces që nuk dihet se kur përfundon.
Para drejtësisë – 12 vjet heqje lirie
SPAK-u e akuzon ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj për kryerjen e katër veprave penale: mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë; korrupsion pasiv pëmes përfitimesh korruptive nga afera e inceneratorëve; pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Nëse ai do të përballet me drejtësinë dhe do të gjykohet si fajtor rrezikon një dënim prej 12 vitesh burg.
Dosje prej 400 fletësh
SPAK-u e bëri gati dosjen e tij prej 400 fletësh në fillim të këtij muaji. Javën e kaluar (07.07) prokurorët nxorën vendimin për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, në të njëjtën datë që ai rezulton se është larguar nga Shqipëria pasi ka imunitet parlamentar si deputet i PS edhe pas vendimit të SPAK-ut për arrestimin e tij.
Nëse SPAK-u do ta realizojë arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj ai do të jetë politikani i tretë i lartë në qeverisjet socialiste të kryeministrit Rama që përballet me drejtësinë
Në këto kushte ende nuk mund të dihet, nëse ai do të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë apo do të shpallet në kërkim ndërkombëtar.
Nëse SPAK-u do të realizojë arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj ai do të jetë politikani i tretë i lartë në qeverisjet socialiste të kryeministrit Rama, pas ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, që drejtësia do t’i japë një dënim me heqje lirie. Në vitin 2021 ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u dënua me dy vjet burgim për korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë./dosja.al