Kosova
Drafti i Kurtit OK për asociacionin/ Eksperti kroat për propozimin
Drafti për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe që u paraqit nga Ekipi Menaxhues ishte “dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe në Kosovë” dhe “në themel i papajtueshëm me Kushetutën e Kosovës”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel. Ne lidhje me kete ceshtje, eksperti kroat për çështje të Ballkanit, Davor Gjenero, në një bisedë me Nacionalen ka një shpjegim. Për të, modeli kroat I propozuar nga Kurti, “është ideal” teksa thotë se situata në Kosovë dhe Kroaci me pakicën kombëtare serbe është e njëjtë.
Shpjegimi i tij është i thjeshtë. Edhe në Kosovë edhe në Kroaci ka zona që “në mënyrë koherente” janë banuar nga komuniteti me shumicë serbe. Ky aranzhim kroat, thotë ai, është model organizimi joqeveritar ku “këto komuna përmes Këshillit të Përbashkët Komunal munden që në njërën anë të gjejnë financimet për projektet e përbashkëta dhe në anën tjetër përmes atij institucioni munden që në mënyrë direkte të komunikojnë me Serbinë pa ndonjë lloj ndikimi kroat në atë projekt”.
Davor Gjenero thotë se ky model “është tejet i mirë, funksional dhe i frytshëm”. Për të argumentuar këtë konstatim të tij, ai thotë se kanë përfituar komuniteti serb por edhe vetë shteti kroat. Kjo ngase thotë se “serbët e kanë definuar pozicionin e tyre të patriotizimit kushtetues në Kroaci” si dhe “nuk janë më pjesë e atyre projekteve që bëhen në Beograd siç edhe janë të mirënjohura si Bota Serbe”.