Connect with us

Sport

Dramë në Torino, Juventusi shmang turpin

Juventusi ka barazuar 2-2 kundër skuadrës së Salernitana, madje në fund pati edhe shumë tension për shkak se u anulua me VAR një gol i Milik.

Salernitana e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike, duke shënuar në portën e skuadrës vendase pa u bërë 20 minuta lojë. Candreva ishte ai që shtangu Juventusin.

Miqtë nuk u mjaftuan me kaq, pasi në shtesën e pjesës së parë fituan një penallti që e ktheu në gol sulmuesi polak, Piatek. Salernitana shkoi në dhomat e zhveshjes me epërsinë e dy golave.

Juventusi nuk mund të pajtohej me rezultatin. Bardhezinjtë u hodhën në sulm për ta ndryshuar fatin e ndeshjes. Bremer shënoi shpejt në pjesën e dytë, duke e hapur ndeshjen.

Paredes, Milik dhe Vlahovic ishin ata që tentuan golin e barazimit për Juventusin, por nuk ia dolën dot në tentativat e tyre. Alex Sandro në shtesë fitoi një penallti.

Bonucci goditi dhe u ndal nga Sepe, por në topin e kthyer mbrojtësi përfitoi e shënoi duke barazuar. Në fund Milik shënoi dhe pati shumë festë, por me VAR u anulua për pozicion jashtë loje të Bonuccit. Gjithçka përfundoi në barazim 2-2.

Juventus-Salernitana 2-2

Bremer 51′, Bonucci 90+3′ / Candreva 18′, Piatek (pen.) 45+4′

Advertisement