Connect with us

Kronike

“Drejt Gilmando Danit u gjuajtën mbi 80 plumba”, Lala: Një prej autorëve la kallashnikovin, mori pistoletën pë ta qëlluar

Gazetarja Klodiana Lala, komentoi ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, agjent i AMP-së.

 

Lala përshkroi me detaje momentet e atentatit, duke theksuar nivelin e lartë të organizimit të autorëve.

Duke iu referuar pamjeve të publikuara nga News24, Sipas saj, sulmuesit vepruan me koordinim të plotë dhe përdorim të armëve të ndryshme, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se janë qëlluar mbi 80 plumba ndaj automjetit ku ndodhej Dani. Gazetarja shtoi se Policia e Shtetit po vijon verifikimin e rrugëve të largimit të atentatorëve dhe mjetet e përdorura gjatë ekzekutimit.

“Ditën e djeshme në mesditë, u qëllua me breshëri kallashnikovi mbi automjetin që drejtohej nga agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani. Janë tre persona të veshur me të zeza dhe me kapele që dalin dhe qëllojnë drejt makinës. Më pas, një prej tyre afrohet tek mjeti, hap derën e pasagjerit dhe qëllon sërish në drejtim të Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

Në një moment, njëri prej autorëve lë kallashnikovin në tokë dhe qëllon me pistoletë drejt Danit, ndoshta për të realizuar një goditje më precize, ose sepse arma automatike mund të jetë bllokuar. Pas të shtënave fatale në kokë, autorët hipin në mjetin e tyre dhe largohen me shpejtësi nga vendngjarja.

Pas lirimit, Dani ishte tërhequr nga jeta publike, madje ishte fejuar dhe përpiqej të mbante një profil të qetë. Por mënyra se si u ekzekutua tregon se kemi të bëjmë me një atentat të planifikuar mirë dhe me motive që lidhen me përplasjet mes grupeve kriminale,” tha gazetarja Klodiana Lala.

 

Si ndodhi ngjarja?

Atentati mafioz ndodhi mesditën e djeshme pranë pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.

Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer.  Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.

Advertisement