Politike
Drejtësia/ Xhafa: Ka ardhur koha të mbani përgjegjësi
Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi sot se ka ardhur momenti që KLGJ, KLP, PP, SPAK, BKH e ILD duhet të marrin përgjegjësitë tyre publike, përball qytetarëve.
Xhafaj tha në parlament se nëse sot ka presione publike nga politika me zë e figurë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë biles edhe për vendimmarrje të caktuara; Nëse sot dalin sondazhe dhe ngrihen akuza se drejtësia e re është kapur, se besimi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë është në shifra në rënie duhet të ketë reagime.
FJALA E XHAFAJT
Padyshim përgjegjësia kryesore në këtë rrugëtim të përballjes me sfidat e integrimit i mbetet vet institucioneve të reja të drejtësisë.
Reforma përmes ndryshimeve kushtetuese dhe kuadrit ligjor të miratuar ka konceptuar një sistem që vetëqeveriset nga institucione të zgjedhura prej tij dhe me pavarësi të plotë funksionale e vendimmarrëse nga politika dhe dy pushtetet e tjera si dhe ju ka dhënë atyre instrumente real për ti ushtruar përgjegjësitë, por dhe një mbështetje të pazakontë financiare dhe ndërkombëtare si kurrë më parë. Çështja shtrohet se sa ato, organet e qeverisjes së sistemit po e justifikojnë këtë përgjegjësi kushtetuese përball qytetarëve.
Perceptimet jo pozitive të krijuara apo edhe pritshmëri të paarritura ende, janë ndihmuar edhe nga disa problematika në menaxhimin e procesit të zbatimit të reformës, nga një qasje jo fort e shëndetshme nga disa prej drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Ka ardhur momenti që KLGJ, KLP, PP, SPAK, BKH e ILD duhet të marrin përgjegjësitë tyre publike, përball qytetarëve. Kuvendi, Media e Shoqëria civile duhet të përfshihen shumë më aktivisht në këtë proces.
Personalisht përgjithësisht kam respekt për punën e këtyre institucioneve dhe të vet drejtuesve të tyre për kontributin e rëndësishëm të dhënë prej tyre në ngritjen, formatimin e funksionimin e institucioneve të reja, një pjesë me funksione e përgjegjësi të reja dhe për këtë gjë duhen përgëzuar, por të jemi realist pritshmëritë shkojnë përtej kësaj.
Kjo do të thotë që znj.Llagami, z.Balla, z.Cela, z.Kraja, znj.Hajnaj, z.Metani dhe zëvendësit e tyre duhet të dalin përball publikut dhe të dëshmojnë çfarë po bëjnë, cilat janë rezultatet e institucioneve që drejtojnë, cilat janë reflektimet e përgjegjësitë e tyre për problematikat që vërehen dhe kryesorja për pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre dhe se janë realisht të pavarur në detyrën e tyre.
Ka sot 3 kandidatë për drejtuesin e ri të SPAK. Gjë e mirë që ka 3 njerëz që kërkojnë me iniciativë dhe shpresoj, të pandikuar e të pambështetur në purteka votash, të bëhen drejtues të këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë së re. Tre prokurorë, në vlerësimin tim shumë të aftë profesionalisht, që po duan me dëshirën e tyre, me vullnet të lirë, me garë e platforma publike të garojnë dhe të marrin përsipër një barrë kaq të madhe pritshmërish publike e ndërkombëtare.
Duke besuar fort se ata janë të ndërgjegjshëm për këtë përgjegjësi është detyra e këshillit, e medias e shoqërisë civile por edhe e Kuvendit të përfshihet në këtë proces për ta monitoruar qysh sot në fazën e premtimeve dhe nesër në ushtrimin e përgjegjësisë. Ndryshe ç’të mbjellim do të korrim.
Nëse sot ka presione publike nga politika me zë e figurë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë biles edhe për vendimmarrje të caktuara; Nëse sot dalin sondazhe dhe ngrihen akuza se drejtësia e re është kapur, se besimi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë është në shifra në rënie; Nëse raport progresi, dokumenti bazë për integrimin e vendit në BE, është bërë publik kush do të reagojë për gjetjet, kritikat e rekomandimet e tij në këtë fushë?
Për këto dhe çështje të tilla duhet reaguar. Është në interes të vërtetës publike, në interes të qytetarëve të cilët duhet të dëgjojnë para së gjithash njerëzit që qeverisin sistemin.
Ata nuk janë gjyqtarë e prokurorë që flasin me vendime, por menaxher publik që kanë përgjegjësi e instrument kryesor llogaridhënien e transparencën publike.