Aktualitet
“Dua të gjej djalin…”/Ardit Beshiri prej dy ditësh nën masivin e kromit, babai i tij: Të di ku t’i hedh një tufë lule

Prej dy ditësh 29-vjeçari Ardit Beshiri rezulton i humbur pas çarjes së një rezervuari uji pranë fabrikës së përpunimit të kromit në zonën e quajtur Qafë-Burrel, në Klos. Babai i të riut, Nerim Beshiri apeloi për ndihmë të specializuar nga shtetit për gjetjen e trupit të tij.
Ai rrëfeu se ka 3 ditë që së bashku me familjarët e tij kërkojnë trupin e 29-vjeçarit me lopata dhe mjete rrethanore në mungesë të aparaturave të specializuara. Babai të riut u shpreh se kërkon që djali i tij të prehet i qetë dhe ti hedhë një tufë lule.
“Kërkoj ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të djalit. T’i gjejnë vetëm njërin gisht ta çoj te familja se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbasësh djalin në mal. I bëj thirrje shtetit, të sjellin aparatura të specializuara të gjej djalin dhe të di ku të hedh një tufë lule. Ka 3 ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë. Nuk ka asnjë lloj mjeti.
Djali doli në 6 të mëngjesit nga shtëpia këtu, hëngri drekën dhe vazhdoi punën me ekskavator dhe e mori baseni para. Djali kishte 5 vite që punonte, me siguracione, me të gjitha. Nuk kanë si ta gjejnë djalin me lopata, ndaj i kërkoj shtetit ndihmë për mjete të specializuara. Babai, vëllai im tjetër po kërkojnë trupin. Ju lutem kërkoj ndihmë. Kaq mund të them”, tha ai.

