Kosova
Duan të na poshtërojnë me njohjen e Kosovës, Vuçeviç ‘bie në koma’
Kryeministri i ri serb Millosh Vuçeviç, deklaroi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE) mbetet synim strategjik, por shtoi se disa vende duan ta “poshtërojnë” Serbinë duke e detyruar atë të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Sigurisht që është dëshira e disave që ta poshtërojnë Serbinë duke e njohur të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës dhe t’i bashkohet regjimit të sanksioneve kundër Rusisë. Përgjigja e Serbisë duhet të bazohet vetëm në përvojën e gjatë historike të popullit tonë se të mëdhenjtë dhe të fuqishmit ndonjëherë mund të na mposhtin, por nuk mund të na poshtërojnë” – deklaroi Vuçeviç
“Ne nuk mund as të poshtërojmë veten. E përsëris, anëtarësimi në Unionin Europian mbetet qëllimi strategjik i Serbisë dhe ne do të punojmë shumë për ta arritur, por i takon BE-së që përfundimisht t’ua hapë derën anëtarëve të rinj” – theksoi Vuçeviç, por shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.
Këshilli i Ministrave i BE-së miratoi javën e kaluar vendimin përfundimtar për ndryshimin e tekstit të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë, i cili, përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve, ku Serbisë i kërkohet njohja de facto e Kosovës.
Mandatari per formimin e qeverise serbe, dy dite me pare pati paralajmeruar per postin qe ai do ti besojë Aleksander Vulinit.
E ne lidhje me kete, Associated Press ka shkruar se “Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e shërbimit inteligjent, i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe që është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”-
Aleksandër Vulin do të jetë njëri nga disa nënkryeministrat, ka thënë Millosh Vuçeviç gjatë shpalljes së përbërjes së kabinetit të tij të ardhshëm, i cili pritet të votohet në Kuvendin e Serbisë në ditët në vijim.
Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për luftën në Ukrainë, kujton AP.
Përfshirja e Vulin në qeverinë e re tregon për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur pro-BE nga Serbia.
Në korrik të vitit të kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj Vulin, duke e akuzuar atë për përfshirje në dërgesat e paligjshme të armëve, trafik droge dhe shpërdorim detyre.