Connect with us

Politike

Duhet marrë kthesë e fortë/ Açka zbulon për herë të parë sherrin me Gaz Bardhin

Flutura Açka, deklaroi se “Partia Demokratike duhet të marrë një kthesë të fortë” dhe shtoi se “rruga më e mirë do të ishte që vetë zoti Berisha të kuptojë momentin kritik të Partisë Demokratike”.

“Unë them që më mirë mos të shkojmë drejt një foltoreje të dytë sepse mund të na çojë drejt një tjetër ndarjeje. Ngaqë nuk u projektua mirë në shtator 2021, shkoi këtu Partia Demokratike. Rruga më e mirë do të ishte që vetë zoti Berisha të kuptojë momentin kritik të Partisë Demokratike. Pas dy vitesh nuk mund të shkojmë më kështu”, u shpreh Açka.

“Sot duhet marrë kthesa e fortë. Duhen disa njerëz që t’i thonë zotit Berisha në foltore që ka ardhur koha që të europianizohemi. Duhen thënë gjërat, nuk duhet të fshihemi. Unë për këtë ndoshta mund të jem ndëshkuar, por e kam të nevojshme t’i them gjërat”, deklaroi Açka.

“Ne kemi nevojë të ndryshojmë në koncept, në mentalitet që të ndryshojmë Partinë Demokratike. Vetëm me frymë të rastësishme nuk ecim dot”, shtoi Flutura Açka.

Flutura Açka, zbuloi mosmarrëveshjet që ka pasur me Gazment Bardhin.

“Nëse ka njeri me të cilin kam ndenjur më shumë mes 140 deputetëve, është zoti Bardhi. Prandaj kam keqardhje të madhe. Nuk duhet të ndodhte me një njeri që ti e ke dashur fort ajo që ndodhi, për politikë. Sepse ka ndodhur për politikë. U ndamë si u ndamë në dy kampe, por liria ime nuk e pengonte zotin Bardhi. As liria e tij nuk më ka penguar kurrë mua. Gazetarët e dinin para meje se do të kishte “ndeshje” në komision dhe unë shkova në komision pa e ditur se çfarë do të ndodhte aty”, tha Açka.

“Edhe për hir të asaj miqësie që kishim, e meritoja thjesht një mesazh ku të më thonte që të mos e hapja komisionin. Do e kuptoja që ajo ishte gjë serioze, megjithëse nuk isha pjesë e atij projekti politik. Aty pati edhe disa fjalë të panevojshme, por që i kam kaluar. Unë, edhe në konferencën për shtyp pas asaj që ndodhi, kam qenë shumë e kujdesshme. E dyta, pse duhet ta mësoja unë prej socialistëve që do të hiqesha nga kryetare e komisionit? Nuk kishin kaq detyrim që të më çonin një shkresë të paktën? Nuk komunikon kjo parti, kjo është çështja”, shtoi Flutura Açka.

“Këto gjëra të vogla, që ndonjëherë e kanë kaluar edhe cakun e njerëzores, më kanë lënduar. Pas kësaj, nuk kam pasur komunikim me zotin Bardhi. Kam parë shashka, kam parë reagime të disa gazetarëve, kam parë lajme që kanë dalë nga burime të caktuara nga grupi parlamentar, gjëra të pasakta në raport me mua”, theksoi më tej Açka.

 

Advertisement