Sport
Duka flet ‘shqip’: Ndeshja me Serbinë do të përcaktojë edhe fatin e trajnerit Sylvinho
Kombëtarja e futbollit luan ‘finalen’ e madhe për Botërorin në Serbi. Më 11 tetor ekipi i Sylvinhos ka përballë një rival që nuk është vetëm sportiv, por një sfidë që vendos përballë historinë dhe ndjenjat e tifozëve karshi rivalit përballë.
Veç anës historike dhe marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dueli në fushë merr një tjetër karakter pasi vendos shumë për fatet e Grupit K kualifikues. Pas pesë sfidave të luajtura, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Në të tilla kushte, duket se në Leskovac tanët e kanë me të vërtetë një ndeshje finale. Me Anglinë që është me ‘një këmbë’ në fazën finale të Kupës së Botës 2026, dueli për vendin e dytë që të dërgon në play-off është mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Një humbje e Kombëtares në Serbi do të thoshte shumë për kalimin më tej, pasi më pas tanët kanë një ndeshje në Andorra dhe një në Tiranë kundër Anglisë. Por Serbia ka një ndeshje më pak dhe mund të na kalojë në renditje.
Andaj, në një intervistë televizive, kreu i FSHF-së, Armand Duka është shprehur se rezultati në Serbi ‘diskuton’ të ardhmen e trajnerit.
“Nëse ne shkojmë në Kupën e Botës trajneri qëndron, nëse një dështim për të shkuar aty diskuton të ardhmen e trajnerit”, u shpreh mes të tjerash Duka.