Connect with us

Sport

Duka projekton shortin: Hapim Euro 2024 me Gjermaninë

Kombëtarja shqiptare e futbollit rishkroi historinë, teksa dje pas barazimit 1-1 në Moldavi kuqezinjtë siguruan matematikisht finalet e “Gjermani 2024”. Pas festës në fushë dhe përgatitjeve për nisjen drejt Shqipërisë, lojtarët dhe stafi iu drejtuan stadiumit në Chisinau. Fluturimi “charter” me Air Albania u nis menjëherë nga Moldavia dhe rreth orës 01:15 të mëngjesit të sotëm Kombëtarja mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” ku shumë tifozë kishin orë që prisnin ekipin. Pas mbërritjes në Atdhe, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha për mediet se dëshiron që shorti t’i vendosë përballë Gjermanisë në sfidën hapëse të Euro 2024.

A ishte ky një nga udhëtimet më të bukur?

Një nga udhëtimet më të bukur. Ishte një fund i lumtur, pasi jemi shumë të kënaqur me kualifikimin. Punuam shumë dhe morëm atë që kemi merituar në fushë.

E prisnit kualifikimin sot?

Isha i bindur që do të siguronim kualifikimin sot. Prisja një fitore, por edhe barazimi na mjaftoi. Tani kemi edhe një ndeshje dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht, për ta mbyllur edicionin me fitore dhe në vendin e parë.

A është kjo Shqipëria më e fortë?

Besoj se është skuadra më e mirë, pasi janë të gjithë djem që luajnë me skuadra të mëdha. Kanë bërë një edicion shumë të mirë dhe dua t’i falënderoj për atë që kanë dhënë. Falënderoj edhe stafin e tifozët që kanë qenë fantastikë në këtë rrugëtim.

Cilën skuadër do të preferonit në grupet e Europianit?

Nuk kam preferenca për shortin, por do të preferoja që të ishim ne ata që hapim Europianin me Gjermaninë.

Duket se bluza e zezë na sjell fat…

Ngjyra jonë është e kuqja dhe do të dëshironim gjithmonë me atë, por ndonjëherë detyrohemi të luajmë edhe me bluzën e zezë. Na ka ecur mirë, pasi e kemi veshur këtë fanellë edhe në Armeni, kur siguruam kualifikimin”, tha Duka.

Advertisement