Shkrime
Duma gazetare, dëshmi e medias së degraduar
Nga Shpëtim Luku
Që në fillim duhet të pranoj se Grida Duma është një person i përgatitur dhe i kualifikuar. Ka artikulimin në nivelin e duhur, ka aftësinë për konceptimin e problematikave, orientohet mirë në mekanizmin shkak-pasojë, ka një karrierë të vlerësueshme universitare. Dhe mund shtonim edhe fakte të tjera në funksion të konkluzionit se ajo është një person i aftë profesionalisht. Aq sa me plot gojë mund të themi se ajo punë që Duma po merr përsipër në Top Channel, duke braktisur politikën përfaqëson një lloj pune në nënfishin e mundësive dhe aftësive të saj. Por po flasim duke patur parasysh një media normale, një sistem mediatik në funksion të interesave të publikut.
Po flasim në kushte teorike duke presupozuar një media që është “syri dhe veshi i shoqërisë”, një media që është “qeni roje” i interesave të publikut etj. Por në të vërtetë ka shumë kohë që media shqiptare e ka humbur këtë fizionomi. Dhe “thithja” dhe përfshirja në të edhe e Grida Dumës është tregues, nga ata kokëfortët i këtij degradimi. Nuk mjafton vetëm artikulimi apo aftësia për të shkruar një tekst të bukur për të fituar titullin e gazetarit. Nevojiten edhe një sërë cilësish të tjera që ose nuk i ke, ose i ke humbur rrugës. Nevojitet integriteti personal dhe profesional, serioziteti, përgjegjshmëria, trimëria, maturia për të folur apo shkruar vetëm mbi fakte, luajaliteti etj etj.
“Po deshe të bëhesh propogandist merru me marrëdhënie publike, me qeveri ose me politikë. Luajaliteti i gazetarit nuk duhet ti takojë askujt dhe asgjëje tjetër, asnjë partie politike, burimi , interesi komercial ose jokomercial apo kauze të veçantë sado të vlefshme të jenë ato”.
Kështu thonë manualet e gazetarisë për profesionin. Dhe në realitetin shqiptar ne kemi parë me dhjetra persona, të cilët kanë braktisur statusin e gazetarit për tu përfshirë në stafet e propogandës së partive të ndryshme. Ashtu sikurse kemi parë, njohim dhe interceptojmë edhe mjaft persona të tjerë që detyrën e propoganduesit të partive politike e bëjnë nën maskën e analistit “të pavarur”. Situata në media ka ardhur duke u rënduar, përpos të tjerave, edhe se persona të tillë, pra, persona që e kanë braktisur dikur median dhe profesionin e gazetarit në një moment të caktuar kthehen sërish në media. Madje me një axhendë “profesionale” të avancuar.
Vijnë me “kualifikimin” dhe “specializimin” e duhur pas stazhit të kaluar në gjirin e partisë së preferuar dhe nuk e kanë për gjë të ideojnë e drejtojnë emisione politike, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse shërbim ndaj forcës së tyre politike. Për rrjedhojë, emisione të tilla nuk kanë kurrfarë besueshmërie dhe kredibiliteti dhe e vetmja mënyrë e gjetur për të siguaruar një audiencë formale është ndërtimi dhe kurdisja e konflikteve. Nëse njerëzit ndalojnë tek televizioni në emisione të tilla, nuk e bëjnë këtë se ato iu pëlqejnë për nga cilësia që mbartin, por sepse atyre iu është stimuluar pritshmëria se një sherr apo skandal do të ndodhë. Jo më kot, edhe në youtubë videot e hedhura nga emisione të tilla bëjnë fjalë vetëm për sherre, bërtitje, lajthitje. Kurse kalimi i një politikaneje skiftere dhe jo koherente si Grida Duma në media është çertifikim i degradimit të medias në tërësi dhe televizionit përkatës që ka ndërmarrë këtë hap në veçanti.
Pasi media pikë së pari është besueshmëri dhe betimet e Grida Dumës për paanshmëri profesionale në kohën kur si politikane ka patur një protagonizëm të shquar prej militanteje janë fare të pafuqishme për ta pajisur atë me atë nivel besimi që është kaq i nevojshëm për këtë profesion. Por ama ska pse të habitemi, ska pse të jemi të surprizuar. Media është shndërruar prej kohësh në masën më të madhe të saj institucion propagande. Ndaj dhe integrimi i Grida Dumës në komunitetin e gazetarëve është thjesht mundësia që i jepet adaj për të bërë propagandën e “partisë sime”, (term i saj në veprimtarinë e dorëheqjes) në një nga televizionet kryesore të vendit.