Connect with us

Kronike

Dy baballarë të vrarë dhe të groposur nga fëmijët/ Çfarë e lidh vrasjen e Metës dhe atë Ballës

Pa u bërë ende 7 muaj nga vrasja e 49-vjeçarit Pëllumb Meta, Shënavlashi është tronditur sërish, po me të njëjtin skenar, ku fëmijët pasi vrasin babain kërkojnë ndihmën e policisë.

Esmerald Balla vrau babain e tij pas një sherri për një kasafortë më 75 mijë euro dhe më pas e hodhi atë në një pus.

Fill pas ngjarjes njoftoi policinë për zhdukjen e babit të tij, por pas gjetjes së trupit rezultoi, se 62-vjeçari Enver Balla ishte qëlluar me plumb në kokë dhe më pas ishte hedhur në një pus 1 kilometër larg vendit të ngjarjes.

Çfarë i lidh dy ngjarjet

Si në rastin e Pëllumb Metës ashtu dhe në atë të Enver Ballës, paratë dhe pronat janë bërë shkak që ata të eliminohen nga fëmijët e tyre, për të vijuar më tej me historinë e zhdukjes së trupit dhe më pas telefonatë policisë për ndihmë.

Në 13 shkurt të këtij viti djali i madh i familjes Meta në Shënavlash denoncon në polici zhdukjen e papritur të babait. Dhe pas disa ditësh kërkimi trupi i Pëllumb Metës gjendet i varrosur në kasollën pas shtëpisë. Fillimisht fajin e morën përsipër dy vëllezërit të cilët thanë se e vranë babain pasi donte të fejonte motrën e tyre të vogël Gertën pa dëshirë.

Por kjo pistë ra, dhe më vonë u mësua se në lojë ishin disa dynym tokë që vlenin mijëra euro, për të cilin Hyseni kishte bërë fjalë me babain për t’i shitur, por kur ky i fundit e kishte kundërshtuar, u qëllua me plumba. Një ngjarje e mbetur ende mister dhe që vijon të hetohet edhe për arsyen se edhe vajza Gerta Meta pretendon se qëlloi ajo ndaj babait dhe se dy vëllezërit e ndihmuan për të zhdukur trupin.

Ishin kamerat rrugore ato të cilat treguan se si dy vëllezërit Meta larguan nga banesa makinën e babait të tyre dhe më pas denoncuan në polici zhdukjen e tij.

E njëjta histori u përsërit edhe diotën e sotme pas bërjes publike të ngjarjes tragjike. Esmerald Balla kishte “thurur” skenarin e ngjarjes, pasi në mënyrë që të zhdukte gjurmët, ka kallëzuar në polici se babai i tij ishte larguar nga banesa me një grua të panjohur dhe se kishte humbur kontaktet me të.

Njoftimi i Policisë

Pas një pune intensive hetimore të bërë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit E. B., 62 vjeç.

Shtetasi E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, Durrës, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.

Gjithashtu, ky shtetas ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.

Djali tjetër i shtetasit E. B., shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.

Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.

Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit E. B., konkretisht shtetasi E. B., 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.

30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë.

Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka trasportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit E .B., dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Trupi i shtetasit E. B. u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit, për ekzaminim mjeko-ligjor.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.

Advertisement