Connect with us

Aktualitet

Dy ish-drejtuesit mbeten në burg, Apeli vendos mbi masat për zyrtarët e “Bankers”

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur këtë të mërkurë në lidhje me masat e sigurisë për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e kompanisë Bankers Petroleum, pas seancës që nisi të martën dhe u shty për sot.

Në fokus të çështjes ishin 14 masa sigurie të lëshuara më herët nga Gjykata e Fierit, prej të cilave 10 janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona vijojnë të jenë në kërkim.

Masat u ankimuan nga të pandehurit, ndërsa Apeli vendosi të zbusë disa prej tyre, duke lënë në fuqi ato më të rëndat.

Arresti me burg mbetet në fuqi për dy drejtuesit kryesorë ku nuk ndryshoi masën “arrest me burg” për dy nga figurat kryesore të hetimit: Hongping Xiao, CEO aktual i kompanisë, shtetas kinez si dhe Leonidha Çobo, ish-administrator i “Bankers Petroleum”.

Të dy ndodhen në paraburgim nën akuza për evazion fiskal dhe mashtrim me skema tatimore.

Nga 5 masa “arrest shtëpie”, vetëm për një të pandehur gjykata vendosi të zbusë masën, duke e kthyer në “detyrim paraqitje”, për shkak të rrethanave familjare, pasi e dyshuara është nënë e një fëmije 2-vjeç.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masës së ndalimit të daljes nga territori i Republikës për 3 persona, duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.

Të akuzuarit janë përballur me pesë vepra penale, përfshirë:

Krijimi i skemave mashtruese për TVSH-në

Fshehje e të ardhurave

Pastrim i produkteve të veprës penale

Shpërdorim detyre

Moskryerje detyrash nga organet tatimore

Hetimet janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policinë, dhe kanë për objekt shmangien e detyrimeve financiare në mënyrë të organizuar dhe masive nga kompania.

Seanca e së martës në Apel zgjati për më shumë se gjashtë orë kurse vendimi u shty dhe u dha këtë të mërkurë.

Përfaqësues të Ambasadës Kineze ishin të pranishëm pranë godinës së gjykatës, por nuk u lejuan të hyjnë në sallë.

Advertisement