Kosova
Dy njohje të reja për Kosovën/ Eksperti i Rajonit tregon emra dhe detaje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi të premtën në Mynih të Gjermanisë kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan. Ishte takimi i parë bilateral ndërmjet një kryeministri kosovar dhe një kryeministri armen. Dy ditë më pas, armeni pati një takim edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Armenia, vendi që e përjetoi një disfatë nga Azerbajxhani vitin e kaluar në luftimet për rajonin e Nagorno-Karabakhut, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ashtu sikurse “armiku” i saj.
Kosova dëshiron të sigurojë njohjen prej të dy vendeve. Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Ilir Kulla tha se megjithëse këto tendenca janë të mirëpritura, duhet pasur parasysh “disa rrethana në kontekstin gjeopolitik”.
Po a mund ta njohë Azerbajxhani pavarësinë e Kosovës pasi kthey Nagorno-Karabakhun nën kontroll? Kulla tha se “gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim” dhe kujtoi se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar presidentit azer, Ilham Aliyev zyrtarisht njohjen e Kosovës, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Ilir Meta më parë.
Ai këtu përmendi edhe influencën e Turqisë, e cila më 2020 ndihmoi Azerbajxhanin te rikthejë territoret e humbura në Karabakh në luftën e zhvilluar me Armeninë më 1990.
“Gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim edhe me influencën e Turqise, por kemi ende rrugë. Ajo që duhet thënë është se Azerbajxhani është një partner shumë i fortë tregetar në rajonin tonë dhe i Perëndimit, është ashtu një aktor shumë i rëndësishëm strategjik për shkak të gazit dhe energjisë dhe hapat diplomatikë ne atë rajon me palët duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, theksoi Kulla.