Connect with us

Shkrime

Dy studentët e Ballkanit përballë gjashtë profesorëve evropianë

Nga Enver Bytyçi 

Një fotografi e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përballë kancelarit gjerman Scholz, presidentit francez Macron, kryeministres Giorgia Meloni, presidentit të Këshilllit të Europës, Charles Michel, kryediplomatit Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak, ka tërheq vëmendjen e opinionit publik dhe është komentuar në forma e ngjyra të ndryshme. Por jo vetëm kaq! Qëndrimin e “autoriteteve të Prishtinës” e ka përshëndetur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë “mjaft më me kërcënimin e paqes” dhe se “tani është koha të pranohen marrëveshjet” Ndërsa këtë deklaratë dikush e ka interpretuar si “pranimi nga Kurti i variantit të asociacionit të Ramës që u paraqit nga pesëshja euro-amerikane”   Në të vërtetë ka dy prirje: – Njëra prej tyre që ta mohojë fitoren e Albin Kurtit në Bruksel, ose së paku t’ia faturojë atë pjesërisht edhe Edi Ramës. Këtë po bëjnë disa eksponentë të opozitës në Kosovë. Tjetra prej tyre lidhet me hiperbolizimin e asaj që ndodhi në kryeqytetin e BE-së, duke e quajtur pamjen e lartpërmendur si skenë ku Kurti është mësuesi e gjashtë apo shtatë të tjerët nxënësit e tij. Ose si skenë ku Kurti bën heroin e kështu me radhë.  Që në fillim duhet thënë se kryeministri Kurti ia arriti më në fund që projektet euro-amerikane t’i sjell në nivelin e pranueshëm prej Kosovës. Kështu ndodhi edhe me variantin e modelit të asociacionit pa kompetenca ekzekutive. Ai rezistoi, dhe rezistencën e tij kundërshtarët e Kosovës e miqtë e Vuçiçit e kritikuan ashpër. Madje e bënë atë fajtor dhe i vendosën edhe sanksione. Miqtë e Beogradit u bashkuan, u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin dhe i detyruan edhe miqtë e Kosovës që për momentin të pranojnë ndëshkimin e Kurtit. Më së shumti në këtë vendim ndikoi kryeministri i Shqipërisë, i cili qe i pari që paralajmëroi “sanksione” evropiane dhe vetë filloi aplikimin e tyre ende pa u marrë një vendim i tillë, kur anuloi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në Gjakovë.   Tani ky Rama me cicërimat e tij në Twiter duket se dëshiron të marrë rolin e protagonistit. Megjithatë, nëse do jetë i sinqertë në qëndrimet e tij pro-Kosovës, duhet përshëndetur.  Por nuk duhet harruar se gjithçka ai bën për Kosovën, ka motive krejt personale, asgjë patriotike, asgjë njerëzore, Ndryshe Rama do duhej të miratonte në parlament e ta njihte në qeveri genocidin serb në Kosovë. Vetëm ky akt e bën atë disi të çlirohet nga kthetrat e Aleksandër Vuçiç. Ndërsa duke u rikthyer te fotografia e Kurtit përballë shtatë përfaqësuesve të BE-së, mendoj se aty Kurti ishte si të thuash para një komisioni provimi. Në atë komision ishin anëtarë dashamirë të tij e të Kosovës, skeptikë ndaj tij, si dhe kundërshtarët e dëshmuar në shumë prova tjera. Kryeministri i Kosovës e dha provimin me rezultat të shkëlqyer. Kryetari i Komisionit, Scholz, u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti me përzemërsi. Francezi Macron dhe belgu Michel, u befasuan, sepse e kishin paragjykuar vazhdimisht Kurtin, nisur nga ankesat e Vuçiç dhe të Edi Ramës. Ndaj filluan të shohin nga njëri-tjetri. Meloni ishte disi indiferente dhe dukej e patrazuar. Ishte gjithashtu hera e parë që përballej me “studentin” në fjalë. Ndërsa dy protagonistët e dialogut, Borrell dhe Lajçak, u mërzitën. Ndoshta kishin pritshmëri që  Kurti të mos e kalonte provimin dhe të mos i surprizonte për mirë një president dhe dy kryeministra evropianë. Ata ishin ne siklet, sepse Kurtin e kishin servir si problemi i zgjidhjes.  Kjo ishte arsyeja pse Borrell refuzoi të vendosë notën dhjetë për Albin Kurtin. Në deklaratën e tij ai sërishmi tha se “Palët parashtruan kushte, të cilat pala tjetër nuk i pranoi”! Nuk tha se presidenti serb e refuzoi edhe Marrëveshjen e Brukselit të Shkurtit, si dhe Aneksin e miratuar në Ohër dhe kerkoi ndryshimin e tyre. Nuk tha edhe se Vuçiç refuzoi të nënshkruajë ato dy marrëveshje, ndërkohë që Kurti ishte i gatshëm ta bënte këtë. Sepse nuk donte që “studentin” e tij të preferuar e të priveligjuar, ta poshtëronte e ta kritikonte. Ndaj dhe refuzoi notën jo kaluese për mikun e tij, Aleksandër. Lajçak ia la topin në dorë Borrellit dhe nuk foli. Nuk e deklaroi notën për asnjërin prej “studentëve” që ishin në Bruksel.  Kështu duhet lexuar fotografia e Kurti përballë gjashtë përfaësuesve të BE-së, teksa dha një performancë të shkëlqyeshme, bazuar në të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Tani është radha e “profesorëve” të heqin masat ndëshkuese për Kosovën dhe të vendosin sanksione për Serbinë.

 

Advertisement