Kosova
Dyert e mbyllura në Preshevë/ Roth i shqetësuar rreth metodën serbe për spastrim etnik të shqiptarëve
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, nëpërmjet një postimi në platformën “X” kërkoi nga Qeveria e Serbisë që të ndalë menjëherë diskriminimin sistematik dhe spastrimin etnik të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Një hap i mëtejshëm prapa në rrugën drejt bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor. Serbia diskriminon sistematikisht pakicën shqiptare. Edhe pse kjo formë e spastrimit etnik është jo e dhunshme, ajo mbetet një krim” – ka shkruar deputeti gjerman.
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, në një përgjigje për rrjetin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe, ka shprehur shqetësimin për pasivizimin e adresave të qyetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – në pjesën jugore të Serbisë.
“Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës shqiptare që janë të regjistruar”- thuhet në përgjigjen e Ministrise se Jashtme gjermane ku theksohet: –
“Këto të drejta janë të garantuara si me kushtetutë dhe me ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore”
Politika diskriminuese e Serbisë qëndron në faktin se në momentin kur shqiptarëve u pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.
Qytetari shqiptar nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojë makinën, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale apo qendrore.
Kujtojme se përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.