Connect with us

Shkrime

Liderët shqiptarë në Ballkan dhe sjellja e tyre me Vuçiç

Nga Ben Andoni

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përballet me shumë probleme në vendin e tij. Problemi i shpërblimeve të mësuesve dhe qëndrimi me sindikatat, problemi me energjinë e të tjerat, jo më pak, ja kanë kërrusur shumë supet. Edi Rama nuk është më larg. Protestat e lodhshme që mëton opozita në shtator më shumë do mbledhin mllefin dhe pasigurinë, që ka krijuar qeverisja e tij  sesa frymëzimi i dyshes Meta-Berisha. Ndërsa Aleksandar Vuçiq e ka marrë udhën e tij. E ka njohur de facto Kosovën dhe marrëveshja e fundit, e realizuar qysh me 2011 dhe e rivitalizuar së fundmi është një konfirmim gati de jure. Derisa ka reciprocitet për “ish-krahinën jugore” serbe tashmë ai është një kartë e mbaruar morale për politikën e vendit të tij. I habitshëm qëndrimi i kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, shqiptarit Abazoviç dhe akoma më e pakuptueshme ajo mbështetje indirekte që ka marrë jo pak herë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Por sa i përket Kosovës, tashmë askush nuk është i zoti që të dalë mbi realitetin. Kurti duket më i avantazhuar për vazhdimësinë e qëndrimit ndaj reciprocitetit. Sepse në fakt, siç thuhet nga një kolege serbe e Danas për Vuçiq:”Pavarësia e Kosovës nuk varet nga njohja apo tradhtia e tij – term i përdorur nga partitë ekstremiste dhe të djathta (Lexo serbe)”.

Dhe, ajo që pritet nga të gjithë popujt tanë, për të thënë të vërtetën është që të informohemi si duhet por edhe të kuptojmë se ku po shkon kjo marrëdhënie edhe sesa do të bëjë atë që bënë mes tyre Gjermanët me Francezët. Dhe, a ja vlen mbështetja ndaj Vuçiq, një personazh me aq probleme në vendin e vet dhe jo vetëm.

Për fat të keq, ka një pikë që i bashkon krerët e Ballkanit, ata e konsiderojnë këtë marrëdhënie si domen të protagonizmit të tyre dhe më shumë se çdo gjë ka pak akordancë me realitet e reja pas flegmatizmit të Ballkan Open.

Në vendin e tij, Vuçiq pas marrëveshjeve që bën me Kosovën i informon dhe “i qetëson” bashkëkombasit e vet duke u munduar ta fusë kokën si struci në moçalin e politikës së vet. Në Kosovë opozita as nuk përfillet dhe asnjë hap i tyre në dialog, kurse sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me të dy vendet ka vend vetëm për protagonizmin e madh të Ramës. Në të njëjtën mënyrë, ky qëndrim, ka bërë që Kurti të jetë i plotfuqishën në Kosovë. Votat e njerëzve dhe reciprociteti, plus presioni i Fuqive të Mëdha deri tani po i ndih shumë Kosovës dhe politikës së tij, që duhet thënë se ka fituar jo pak. Vuçiq, nga ana tjetër, e ka përdorur Kosovën për t’i çoroditur qytetarët e Serbisë dhe jo thjesht për të qëndruar sa më gjatë në pushtet por edhe për të konsoliduar një pozicion të tillë, siç shprehet media vendase, për të taposur të gjitha abuzimet që kreu i shtetit dhe kreu i partisë më të madhe ka ndërmarrë.

Nga ana tjetër, jeta në Kosovë zhvillohet normalisht dhe Republika e re është një realitet i madh dhe krejt e pavarur nga Serbia. Kjo është ajo që e bën disi nul protagonizmin e tre liderave autokratë.

Ndërkohë, opinioni publik në të tre vendet tona lë shumë për të dëshiruar dhe ky është ushqimi i këtyre tre autokratëve, që nuk mund të fshihen më pas Kosovës. Këtë e sheh nga vetëkënaqësia e të treve dhe sidomos mungesa e përgjegjësisë për të përballur argumente.

Por, e ardhmja nuk është se do t’u ofrojë më aq shumë argumente, sidomos Vuçiqit. Mbase mbarimi i luftës dhe përfshirja e Evropës në problemet e veta do t’u tregojë të tre autokratëve ballkanikë se duhet të kenë kujdes. Kurse kryeministrave shqiptarë do u matet në të ardhmen dhe performanca ndaj një autokrati të pashoq, që ktheu dhe historinë e tij të pajustifikueshme kur kërkonte gjak dhe zjarr në vitet ’90 e nga një luftënxitës në Ballkan u shndërrua një kinse kampion bashkëpunimi. Kurti dhe Rama megjithë justifikimet nuk duhet ta harrojnë kurrë. Të paktën për historinë e tyre politike.

 

Advertisement