Connect with us

Kosova

E asgjësojmë ushtrinë e Serbisë, FSK gati për luftë, flet eksperti i sigurisë

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka folur mbi videon e fundit të publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ushtarët serbë janë parë në afërsi të kufirit me Kosovën dhe sipas ekspertit, Serbia do tentojë në çdo lloj forme që të futet në Kosovë.

Ndërkohë, ai edhe bëri një koment për trupat e KFOR, për të cilat tha se e kanë humbur fuqinë në veri të Kosovës.

“Serbia do tentojë në çdo formë të hyjë në Republikën e Kosovës. Pjesa e brezit kufitar është e monitoruar nga ajri. Është argument plus që Serbia do jetë në vazhdën e pritjes si një ujk të cenojë territorin e Republikës së Kosovës. Përsa i përket komunikatës së ushtrisë serbe, të mos harrojmë elementin esencial, se edhe Rusia dikur bënte stërvitje në kufi me Ukrainën dhe thoshin një zëri që nuk do kishte evazion ushtarak në Ukrainë. KFOR nuk është në detyrën e tij, e dëshmoi më 24 shtator që nuk mbrojti territorialitetin e Kosovës. Ka lejuar të hyjë armatimi dhe mjetet e blinduara. Është indikacion thelbësor i asaj që KFOR po luan rolin e shikuesit sepse KFOR në veri po i humbet fuqia sepse ka rrëshqitur në lojën apo kazanin që ka dashur Serbia”, deklaroi Shala.

Kurse avokati Spartak Ngjela, ka thënë se Kosova nuk rrezikohet nga Serbia, pasi siç shtoi ai, kjo e fundit nuk ka forcë të godasë një vend të NATO-s.

“Kanë filluar bisedimet e sakta dhe të nëndheshme që Kosova të hyjë në NATO, ky është fakt”, u shpreh i bindur Ngjela, duke potencuar se Serbia nuk mund ta preki kufirin pasi atje janë trupat amerikane.

“Kush mund ta preki, asnjë. Vuçiqi është në dëshpërim në një krah, serbët atje që po presin me ditë të fitojnë luftën me Kosovën, janë injorantë, kjo është e vërteta. Kosova s’duhet të ketë asnjë shqetësim se mund të kenë një luftë me Serbinë. Si ka mundësi i dobëti të sulmojë të fortin?”, tha më tej Ngjela.

Në një komunikatë të së ngarkuarës me punë, Katherine Brucker, theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për t’u siguruar që ajo periudhë të mos përsëritet më.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO filloi Operacionin për t’i dhënë fund krizës së vazhdueshme humanitare në Kosovë. Pas shterimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, ky veprimi ushtarak ishte opsioni i fundit”- thuhet në tekst, duke nënvizuar:- “Përdorimi i forcës nga NATO ishte i nevojshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësime për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi një çerek shekulli më parë. Ne kujtojmë mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë ose që mbetën të zhdukur, dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij. Duke e njohur këtë të kaluar të errët dhe të vendosur për të siguruar që ajo të mos përsëritet, Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian të rajonit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve në rajon që të përqendrohen në përfundimin e detyrës për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt. Shtetet e Bashkuara festojnë përparimin tuaj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju për të forcuar qeverisjen demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e reformës zgjedhore, avancimin e lirisë së medias, përmirësimin e integrimit ekonomik dhe ruajtjen e bashkëpunimit dhe respektit multietnik.

Një e ardhme më e ndritur për Ballkanin Perëndimor kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke. Ne e mbështesim plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është rruga e vetme drejt së ardhmes që e meritojnë të gjithë kosovarët dhe serbët. Si gjithmonë, ne falënderojmë misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre aktive për të ndihmuar të dyja vendet të realizojnë synimet e tyre për integrim më të madh evropian, përfshirë anëtarësimin në BE. Ne i nxisim të gjitha palët të nderojnë kujtimin e atyre që humbën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se Nato nisi sulmet ndaj forcave te Millosheviçit më 24 mars për të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik që po kryenin në Kosovë. Sulmet ajrore zgjatën nga 24 marsi 1999 deri në 10 qershor 1999. NATO nisi fushatën e saj pa miratimin e OKB-së, duke deklaruar se ishte një ndërhyrje humanitare.

 

 

Advertisement