Connect with us

Shkrime

E kërkon tregu

Nga Ergys Mërtiri

Kur nëpër studio dikush flet mbi të këqijat e mediave, mbi banalitetin, programet e dobëta dhe shpesh vulgare që ato transmetojnë apo mbi efektin e tyre të dëmshëm për shoqërinë moderatorët justifikohen se këto programe shiten, i kërkon tregu.

Edhe kur kritikon muzikën vulgare të këngëtarëve që çajnë tregje, do dalin gjithmonë tufa “mendimtarësh praktikë” që të tregojnë fuqinë e tyre komerciale si vlerë absolute, supreme dhe të pakundërshtueshme.

Nëse një gjë shitet, nuk ka më rëndësi nëse bart apo jo vlera morale, njerëzore, estetike, artistike, profesionale etj. Atë e kërkon publiku, sovrani.

Mjaft që diçka të jetë e shitshme dhe ajo fiton automatikisht legjitimitet. Tregu është zëvendësuesi i çdo vlere dhe çdo kriteri mbi ofertën mediatike. Atij i nënshtrohet gjithçka, madje edhe vetë e vërteta. Të ekzistosh sot, do të thotë të jesh në treg.

Përndryshe, nën modelin e parimeve të empirizmit radikal që thonë se guri që bie në pyll ku askush nuk e dëgjon nuk bën zhurmë, vlerat nuk ekzistojnë jashtë shqisave të komercit.

Tregu është zoti i botës moderne të shkatërruar nga vlerat, është njësia matëse e gjithëçkaje: të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, të bukurës dhe të shëmtuarës…

Feja është konsumizmi dhe komrecialiteti është parimi kryesor që ndërton të gjithë ritualin e adhurimit të tregut. Në emër të tij, ithtarët e kësaj feje i kundërvihen çdo sistemi tjetër vleror duke shkatërruar çdo arritje të qytetërimit.

Në fakt, arsyeja përse ne i afrohemi tregut është vërtetë fitimi, por të fituarit nuk mund të jetë vlerë supreme e orientimit tonë në jetë.

Njeriu që arsyeton se media duhet të transmetojë gjithçka që ka audiencë, zbret në nivelin e atij që gjykon se gjithçka është e shitshme, përfshirë, nderin, virtytin, familjen apo vetë jetën.

Të ofrosh programe komerciale, të dëmshme për shoqërinë, me justifikimin se këtë e kërkon publiku, do të thotë të mos njohësh vlerë tjetër përveç fitimit. Me këtë arsyetim ecin edhe ata që shesin drogë apo bëjnë prostitucion e trafiqe. Edhe për to ka një treg që i kërkon.

Ti ofrosh publikut gjithçka që kërkon mund të jetë fitimprurëse, por nuk do të thotë se është e drejtë. Media nuk mund të punojë për shkatërrimin e vlerave, për çedukimin e të rinjve, për turbullimin e turmave me idenë se ato transmetojnë çfarë të tjerët kërkojnë. Kjo do të thotë të ushqehesh nga shkatërrimi. Ky është thjesht prostitucion dhe nuk ka rëndësi nëse shfaqet në formën e tutorit apo prostitutës.

Të fitosh, pa djersë, përmes rrugëve të lehta dhe të pandershme, nuk është dinjitoze. Nëse dikush e bën këtë, le të ulë kokën dhe të vazhdojë të ushqehet në llucën e vet, por të paktën mos të propagandojë legjitimimin e së keqes duke u munduar të na imponojë parimet e pusetës si virtyt publik.

Advertisement