Connect with us

Aktualitet

“E kryem për miqësi”/ Dëshmia e plotë e Aliajt: Pasi planifikuam rrahjen, ndoqëm avokatin

Është zbardhur dëshmia e plotë e 32-vjeçarit Dorian Alia, një prej autorëve të dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, teksa është i vetmi që është vetëdorëzuar në Polici, teksa autorët e tjerë vijojnë të jenë ende në kërkim.

Dorian Alia ka dëshmuar për grupin hetimor se porositësi i këtij sulmi është 58-vjeçari Dritan Nano, teksa ka pohuar se nuk e kanë kryer kundrejt pagesës, por për shkak të miqësisë me të.

32-vjeçari ka deklaruar se pasi e kishin planifikuar rrahjen, e kanë ndjekur vazhdimisht avokatin Sokol Mëngjesi për vendet ku ai lëvizte.

Sipas tij, ata thjesht donin t’i jepnin një mesazh avokatit dhe nuk e mendonin se do të pësonte aq dëmtime të rënda. Ai ka thënë se Dritan Nano i kërkonte Mëngjesit që të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur me të, pasi nuk i shlyente pagesën për një proces gjyqësor të fituar, sipas kontratës që kishin.

“E kryem prej miqësisë me Dritan Nanon dhe na e ka kërkuar ai. Kanë pasur konflikt për shkak të një pagese që Dritani nuk i shlyente avokatit për një pronë sipas kontratës që kishin. Pasi e kishim planifikuar rrahjen, e kemi ndjekur Mëngjesin dhe vazhdimisht kemi komunikuar me të tjerët e grupit për vendet ku ai lëvizte.

Donim t’i bënin presion Mëngjesit të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur. Ishim përgatitur për t’i dhënë mesazh që të tërhiqej nga padia që kishte bërë, pa menduar se situata do të rëndohej dhe do të merrte dëme të rënda, aq më pak për ta vrarë. Unë e godita vetëm me grusht.”, mësohet të jetë shprehur Dorian Alia në polici.

Rezulton se ai është personi që ka goditur me grusht i pari Sokol Mëngjesin dhe me pas kanë qëlluar të tjerët. Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.

Burime për mediat bëjnë me dije se avokati Mëngjesi përfaqësonte në një proces gjyqësor 8 trashëgimtarë të një prone, proces gjyqësor i cili është fituar prej tyre në të dy shkallët e gjyqësorit.

Paraprakisht, të 8 trashëgimtarët kishin firmosur një kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit Sokol Mëngjesi në rast se gjyqi do të fitohej. Pas gjyqi është fituar, 7 prej palëve i kanë dhënë paratë Mëngjesit dhe studios së tij ligjore “ALTERUM SHPK” sipas kontratës së firmosur, përveç Dritan Nanos.

Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Dritan Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja.

I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.

Fillimisht raportohet se kanë pasur një takim rreth një muaj më parë, por nuk kanë rënë dakord pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore.

Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një pronë tek Diga e Liqenit Artificial në Tiranë, ku janë ndërtuar kulla.

Advertisement

TRENDING