Bota
E pazakontë/ Putin dhe Kim Jong “zihen” kush të futet i pari në makinë, pamjet virale

Presidenti rus Vladimir Putin falenderoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për ndihmën që i dha Rusisë për të dëbuar ushtarët ukrainas nga rajoni i Kurskut, duke thënë se ata luftuan “heroikisht”.
Në një takim me Kim në Pekin, Putin vlerësoi gjithashtu “besimin dhe miqësinë” e vendeve të tyre dhe tha se dërgimi i trupave ishte ideja e udhëheqësit të Koresë së Veriut.
Takimi në Pekin zgjati rreth dy orë e gjysmë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, me Putinin që e shoqëroi Kim-in deri në makinën e tij pas bisedimeve.
Gjatë largimit të dy liderët u munduan të respektonin njëri-tjetrin, këtë herë për vendin në mjetin me të cilën u larguan sëbashku.
Ishte Putini ai i cili kërkoi që Kim Yong Un të futej i pari në makinë, por të njëjtin veprim bëri edhe ky i fundit.
Por ai që fitoi në fund në fjalën e tij ishte Kim Yong Un, pasi kreu i Rusisë u fut i pari në makinë, e më pas lideri suprem i Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut është bërë një nga aleatët kryesorë të Rusisë që kur Moska pushtoi Ukrainën tre vjet e gjysmë më parë, duke dërguar mijëra ushtarë dhe kontejnerë me armë për të ndihmuar Kremlinin të shtyjë forcat ukrainase nga Rusia perëndimore, pas ndërhyrjes tronditëse të Kievit vitin e kaluar.
Rusia dhe Koreja e Veriut vitin e kaluar ranë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse partneriteti strategjik që detyron secilën palë të ofrojë “ndihmë ushtarake dhe të çdo lloji” në rast se njëra prej tyre sulmohet.

