Connect with us

Aktualitet

E PLOTË/ Nga bamirësia deri tek “atentati”, Berisha “zbërthen” dosjen e SPAK-ut

Për herë të parë që prej 30 dhjetorit 2023, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi konferencën e parë për mediat nën praninë e gazetarëve.

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike njoftoi mbajtjen e konferencës në orën 13:00, ndërkohë që gazetarët u vendosën në një nga sallat e selisë blu, kurse teknologjia bëri të mundur komunikimin mes tyre.

Berisha publikoi detaje nga dosja hetimore dhe akuzat e ngritura nga SPAK për ‘korrupsion pasiv’, ku më e çuditshmja sipas tij, ishte fakti që bamirësia është konsideruar vepër penale pasi e bija e tij Argita së bashku me Jamarbër Malltezin japin donacionet e tyre për fondacionin e Liri Berishës “Fëmijët Shqiptarë”.

Sipas Berishës, gjatë hetimit nga SPAK, u publikuan emrat e fëmijëve autikë që pranuan bamirësinë, ndërsa këtë e konsideroi një veprim monstruoz të hetuesve.

“Së pari falenderoj gazetarët që kanë pranuar të ndjekin në distancë këtë konferencë shtypi. Falenderoj të gjitha ata që ndjekin sot paraqitjen time publike të provave konkrete që prokurorët politikë kane rreshtuar në dacibaon e tyre politike për korrupsion kundër meje. Para se te ndalem një nga një në paraqitjen e tyre, shtoj se:

Kur ke bere pazare me vrasësit dhe ke marrë paranë e tyre të krimit për t’u pasuruar vetë, për të blerë apartamente, vila, toka apo pasuri të tjera, të cilat me rrogën tende nuk i blije dot kurrë, apo kur ke përdorur paratë e vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve për vakanca luksoze, për shkollimin e fëmijëve apo qoftë dhe për bixhoz, kur ke përdorur detyrën e besuar nga shoqëria për të bërë jo prokurorin, as dhe avokatin e ligjit të kriminelit që të ka blerë, por skllavin e tij dhe ke shitur çdo gjë njerëzore, veten te vrasësi, dhe je zhveshur, shpërfytyruar dhe denatyruar nga morali njerëzor, je bërë më i lig, më i ulët se sa padroni yt vrasës, përdhunues, hajdut, vetëkuptohet që virtytin njerëzor e quan krim, zbatimin e ligjit e shpall shkelje të ligjit dhe nuk ndalesh para asgjëje, bëhesh më hajdut se hajduti, më vrasës se sa vrasësi, të tillë janë sot anëtarët e organizatës kriminale Skapi i partisë apo prokurorisë private të Edi Ramës, të cilet Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt janë monstrat me raste konkrete të fëmijëve tanë, përfshi këtu fëmijët autikë.

Këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse këta jo vetëm amnistojnë me urdhër dhe kundrejt pagesës zyrtarë kriminelë që me vjedhjet e tyre kanë shkaktuar për mungesat e ilaçeve apo përdorimin e ilaçeve të skaduara etj, etj, vdekjet e qindra e fëmijëve të moshave të ndryshme, por këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin se krim virtytin e bamirësisë shqiptare, të dëshmuar në mënyrën më transparente dhe ligjore, por ata si monstra të fëmijëve tanë, në rastin konkret femijëve autikë, kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë.

Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë. Thashë se kjo treshe, që ka kryer këtë akt, në ligjet e vendit nuk mundet kurrë të shkelte privacinë e fëmijëve, por edhe në kodin moral shqiptar të bamirësisë thuhet se atë që jep dora e djathtë si bamirësi, nuk duhet ta dijë dora e majtë. Po këta janë monstra të zhveshur nga çdo ndjenjë e njeriut të civilizuar”, tha Berisha.

  • Berisha i përgjigjet akuzave të ngritura nga SPAK

Në nisje të fjalës, kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar hetim skandaloz, atë të Prokurorisë së Posaçme ndaj fondacionit të fëmijëve autikë që drejtohet nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.

Në total sipas Berishës, vajza e tij Argita dhe dhëndri Jamarbër Malltezi kanë paguar në 12 vite rreth 118 mijë euro, të cilat sipas kreut të PD kanë shkuar për të kuruar fëmijët autik.

Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e të cilit është Liri Berisha.

Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro. Nuk është zakon kurrë të falënderosh publikisht familjarët, por nuk mund të ndalem pa i falënderuar me shumë mirënjohje Abin dhe Argitën sepse kanë mbajtur, kanë vazhduar traditën më fisnike të shqiptarëve, bujarinë dhe bamirësinë, e cila ka pasur në kohëra vlerësimet më të larta”, u shpreh Berisha.

  • FONDACIONI

Për kryedemokratin Sali Berisha, Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” është themeluar nga një mik i madh dhe i vërtetë i Shqipërisë, Domenik Skalione, i cili në vitin 2005 ia besoi drejtimin e këtij fondacioni Liri Berishës.

Berisha tha se bashkëshortja e tij, Liri Berisha ka dhënë ndihmë kolosale për fëmijët autikë, pa asnjë pagesë dhe pa asnjë fond nga qeveria.

Lideri i opozitës thotë se gjatë kohës që ka drejtuar ekzekutivin shqiptar, fondacioni nuk ka marrë asnjë qindarkë, ndërsa shton se pas viteve 2013 janë bërë përpjekje të përsëritura të turpshme nga autoritetet qeveritare për dëmtimin e veprimtarisë së tij.

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” është themeluar në vitin 1996 nga një mik i madh dhe i vërtetë i Shqipërisë, Domenik Skalione, ish-president i parë i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan te Sipërmarrjes, që në vitin 2005 i besoi drejtimin e këtij fondacioni Liri Berishës, e cila pasi doli në pension, në vend të punës në një klinikë private, zgjodhi t’i përkushtohet pa asnjë lloj rroge apo shpërblimi ndihmës, kryesisht të fëmijëve shqiptarë, por edhe të moshuarve këtu.

Njëlloj si ajo, bordi i fondacionit nga themelimi gjer sot ka funksionuar me përkushtim pa asnjë shpërbilm. Nën drejtimin e saj dhe të bordit, Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” ka dhënë kontribut thelbësor në trajtimin shkencor të talasemisë, duke ngritur nga hiçi në Lushnje qendrën më moderne të vendit në trajtimin e talasemisë, për çka është nderuar me Qytetari Nderi nga bashkia socialiste e qytetit.

Fondacioni, me lidhjet e tij, ka arritur të dërgoj për operime të vështirë në spitalet më të mira me dhjetëra fëmijë si dhe ka ndihmuar qindra fëmijë në shtëpitë e fëmijëve, por edhe në kopshte, madje edhe të moshuar në azile. Por pa dyshim, kontributin më të jashtëzakonshëm ky fondacion, kundër të cilit Rama ka ndërsyer larot dhe mjerot e tij në media, dhe mercenarët e tij në prokurorinë politike, e ka dhënë nga viti 2005 e këtej me kthesën rrënjësore që arriti të shënojë në qëndrimin në Shqipëri ndaj çrregullimit të autizmit dhe konkretisht në fushën e rritjes së ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj autizmit dhe në diagnostikimin, trajtimin modern të fëmijëve autikë dhe studimet shkencore në këtë fushe.

Ky fondacion, me mbështetjen e fondacionit ‘Autizem Speks’ pa asnjë ndihme nga shteti, ngriti në Tiranë Qendren Rajonale të Autizmit, qendër ekselence, e cila ka diagnostikuar dhe trajtuar me metodat me bashkëkohore mijëra fëmijë nga Shqipëria dhe qindra nga vendet përreth, dhe me një sukses mbi 85% (sukses konsiderohet kur këta fëmijë shkojnë në shkollë).

Qendra Rajonale e Autizmit e Tiranës ka ngritur qendrat pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, nga Gjirokastra në Kukës, por edhe në tre vendet përreth. Qendra ka specializuar qindra psikologë në këtë fushë, ka botuar shtatë libra kryesorë të fushës dhe prodhuar një seri me DVD, të cilat ndihmojnë jo vetëm specialistët, por dhe prindërit të ndihmojnë fëmijët e tyre me këtë çrregullim, që për fat të keq incidenca e të cilit po rritet shumë.

Nga 1 në 170 persona që ishte 5-6 vjet më parë, sot në SHBA shkruhet se ky çrregullim prek 1 në 36 fëmijë. Theksoj dhe njëherë se fondacioni nga qeveria e para viteve 2013 nuk ka marrë asnjë qindarkë, kurse pas viteve 2013, janë bërë përpjekje të përsëritura të turpshme nga autoritetet qeveritare për dëmtimin e veprimtarisë së tij”, tha Berisha.

  • A do të kandidojë Argita Malltezi në zgjedhjet e 2025-ës? 

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë që vajza e tij, Argita Berisha të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Berisha u shpreh se nuk e di nëse Argita Malltezi e ka këtë ambicie, por theksoi se nëse ajo dëshiron primaret janë të hapur.

“Do jeni në listë të hapur apo të mbyllur dhe a do të kandidojë Argita Malltezi?”, u pyet Berisha në video-konferencë.

“Të them të vërtetën në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion. Sa i përket Argita Malltezi, atë nuk e vendos unë, por vetë ajo, nëse dëshiron primaret janë të hapura. Por nuk e di nëse ka ndonjë ambicie apo jo”, u pergjigj Berisha.

  • Berisha: Rama dhe Balla organizuan atentat ndaj meje

Atentat i organizuar nga Rama-Balla, e konsideroi lideri i opozitës, Sali Berisha, atë që ndodhi dy vite më parë në PD.

Berisha tha se Rama-Balla dështuan dhe do të dështojnë me tentativat e tyre për ta goditur atë, ndërsa shtoi se kjo është një betejë për sovrantitetin e vendit.

Pavarësisht se sa e mundimshme do të jetë e vërteta tha Berisha, ajo nuk do të mposhtet kurrë.

Rreth dy vite më parë, Edi Rama dhe Taulant Balla organizuan atentat ndaj meje në mes të ditës. Dhe të garantoj tani që para tij, në korridoret e këtyre kriminelëve, flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës. Unë vazhdova mitingun, pa asnjë plan B. Harrojeni, përpjekja për t’i uzurpuar PD-së udhëheqjen, u përpoqën ç’është e vërteta, kjo nuk është sekret.

Por dështuan dhe do dështojnë. Ky është realiteti. Kjo është betejë për sovranitetin e vendit. Nuk është një betejë dosido…Si mundet ju të mohoni kontrollin e plotë dhe total të Edi Ramës mbi Skrapin e partisë? Nuk besoj që ka një mendje apo një njeri që mund të pranojë se zhdukja e 130 milionë eurove të djegësit të Tiranës, nuk është përgjegjësi direkte e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Nuk ka njeri që mund të pranojë se përgjegjës për këtë zhdukje është Arben Ahmetaj, i cili duhet ta pranojmë, unë jam këtu njeriu që e ka sulmuar më shumë se kushdo tjetër atë, por nuk mund ta sulmoj kurrë për çka nuk i takon.

Arben Ahmetaj është personi që ka refuzuar katër herë me shkrim djegësin e Tiranës. A ka shqiptar që pranon se fajësinë e Ilir Beqës për 120 mijë euro të shpërdoruara të BE dhe jo për 300 milionë euro koncesione në shëndetësi, në të cilat vetëm sterilizimi bëhet me një kosto të përllogaritur me saktësi nga ekspertët, 83 herë më të lartë se sa bëhej më përpara, dhe kjo kosto bën që mijëra të sëmurë të mbeten pa operacion sepse spitalet nuk i blejnë dot setet e sterilizimit.

A mund të pranojnë shqiptarët që Vilma Nushi të marrë paratë për 1 milion e 100 mijë check-upe, në kohën kur ajo ka bërë 500 mijë? A e dini ju se Vilma Nushi është gruaja e kushëririt të Edi Ramës. Do u them një gjë unë ju, nuk është vetëm i Sali Berishës ky konkluzion. Skapi ndodhet në kontroll të plotë të krimeve që kryen dhe të politikës së Edi Ramës dhe të dyja janë të faktueshme. Më thoni ju pak ku është dosja e Amant Josifit në Shqipëri? A ekziston? Jo mo, nuk ekziston se duhet të futet Olsi Rama. Ku është dosja e McGonigal, a po bëhet hetim? Jo mo jo, asnjë hetim, vetëm mashtrim. Më thoni ju mua, tuneli i Llogarasë si iu dha kompanisë me 50 milionë euro më shumë? Ku janë këta mo? Këta merren me bamirësinë ndaj fëmijëve autikë dhe u nxjerrin eemrat.

E kuptoni se çfarë përfaqësojnë këta apo jo? E vërteta është e mundimshme, e vërteta nuk ecën shpejt, por nuk mposhtet kurrë. Besoj se po i ndiqni mediat. Ju patë dje përsëri se si kishte ndërhyrë Edi Rama kundër revistës më të madhe gjermane për shkrimin që bënte. Nuk futet minareja në thes, thotë populli shqiptar. Nuk mund të shesësh Skapin ti, që fle mbi krimin. Altin Dumani fle mbi krimin. Do nxjerr fakte për këto që them. Prandaj nuk duhet të kenë asnjë iluzion për Skrapin. Janë mercenarë që i kanë shitur veten krimin dhe janë pa diskutim prokuroria më politike sot në botë, pas atyre të Koresë së Veriut”, tha Berisha.

  • Berisha: Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin tim

Lideri i opozitës, Sali Berisha thotë se të korruptuarit janë ata diplomatë, që kërkuan publikisht arrestimin e tij.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Berisha tha se McGonigali, është një nga diplomatët që punoi për manipulimin e dosjes ndaj tij.

Me një besim të fortë ndaj vlerave, Berisha theksoi se nuk do të pajtohet kurrë me ata që përdorin Amerikën për të mbuluar krimet dhe trafiqet e tyre.

Gjithashtu Berisha iu përgjigj edhe pyetjeve, lidhur me rreshtimin e disa opozitarëve në parti më vete, duke thënë se shqiptarët nuk mashtrohen dot nga opozita e opozitës, që sipas tij punon për llogari të Edi Ramës.
Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës.

“Publikisht e kanë bërë.  I korruptuar është McGonigali që punoi për manipulimin e dosjes. Unë nuk mund t’i injoroj këto. Ja ku janë ‘heronjtë e fëmijëve tanë’. Por, unë besoj fort te vlerat. Unë nuk pajtohem kurrë me ata që përdorin Amerikën për të mbuluar krimet e tyre, për të mbuluar trafiqet e tyre. Në botëkuptimin tim, Amerika nuk është e madhe për asnjë shkak tjetër, por për hapësirën e lirisë, për shtetin ligjor, për Kushtetutën e saj.

Lëvizja do nisë në kohën më të parë të mundshme dhe do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Shqiptarët kanë të drejtë plotësisht t’ia kërkojnë këtë PD-së. Shqiptarët nuk mashtrohen dot nga opozita e opozitës, që natën hyn në zyrat e Edi Ramës, dhe pastaj nga zyrat e Edi Ramës shkon në studio televizive për të vjellë vrer kundër opozitës. Kanë të drejtë t’ia kërkojnë PD-së, forcave të vërteta politike opozitare dhe ata do përmbushin këtë mision”. -tha Berisha

 

  • Malltezi: Edhe bamirësia të shkruhet për vepër penale

Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi ka publikuar një ndër akuzat më të çuditshme të ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Malltezi shkruan se në diktaturën e Edi Ramës edhe “bamirësia” është vepër penale duke iu referuar kontributit të tij ndaj fondacionit të fëmijëve autikë që drejtohet nga vjehrra e tij, Liri Berisha.

Malltezi bën me dije se ka vite që bën bamirësi, ndërsa Prokuroria e Posaçme ngre akuza të pavërteta me urdhër politik nga Edi Rama me qëllimin final, asgjësimin e opozitës.

“Ka dhjetëra vjet që bëj bamirësi dhe jap zekatin rregullisht.

Në respekt të parimit “Kur jep dora e djathtë nuk duhet ta dijë dora e majtë” kurrë nuk i jam mburrur askujt dhe kurrë nuk e ka ditur as babai im.

Vjen dita kur shërbëtorët politikë të Edi Ramës, prokurorja e bandave të Elbasanit e promovuar nga Taulant Balla, jo vetëm që i shkruan bamirësitë e mia për çdo vit në një akt-akuzë sikur janë vepër penale, por publikojnë edhe emrat e fëmijëve me autizëm për mjekimin e të cilëve janë paguar këto para

Turp dhe trishtim! Bamirësia qenka vepër penale!

Ata që marrin ndihmë financiare nga “Armiku i PS” ju duhet publikuar emri si të jenë me biografi të keqe!

Palaço të këtilla nuk kishim parë gjë akoma!

Tek fëlliqësia e Millonait dhe Krajës dalin fytyrat e Edi Ramës, Taulant Ballës, Soros apo Yurit!”, shkruan Malltezi teksa publikon një pjesë të dosjes.

Advertisement