Kronike
E rëndë/ Mori peng 36-vjeçarin dhe e dhunoi, policia vë në pranga autorin
Policia e Skraparit ka arrestuar një 58-vjeçar me inicialet A.K., pasi kishte marrë peng për rreth dy orë një 36-vjeçar. Konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.
58-vjeçari ka marrë peng 36-vjeçarin në një rrugë të pafrekuentuar, në periferi të qytetit të Çorovodës, ku dhe e ka kanosur dhe e ka goditur me sende të forta.
Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, policia gjeti rreth 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 550 fishekë luftarak.
Njoftimi nga policia
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 36-vjeçari se një shtetas i kishte hequr lirinë, si dhe e kishte kanosur dhe dhunuar, kanë organizuar dhe kanë finalizuar në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Berat, operacionin policor të koduar “Mix”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 58 vjeç, banues në Skrapar”, njofton policia.