Kronike
E trishtë/ Babai i tre fëmijëve që u përplas për vdekje nga 17 vjeçari me “Range Rover” jetonte për të bërë realitet ëndrrën e vajzës së tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi 35-vjeçari Kreshnik (Tomani) Barjami, babai i tre fëmijëve dhe mbështetësi i palodhur i vogëlushes Nikita, ndërroi jetë pas 10 ditësh në koma në Spitalin e Traumës. Ai u përplas më 24 gusht nga një 17-vjeçar me “Range Rover” pranë Shkollës së Muzikës në Fier, ndërsa po kalonte rrugën. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe kujdesit intensiv, plagët rezultuan fatale dhe ai ndërroi jetë më 3 shtator.
Kreshniku ishte bërë i njohur për publikun përmes paraqitjeve në televizione dhe rrjete sociale, ku shfaqej përkrah vajzës së tij Nikita, e cila ka fituar zemrat e publikut me zërin dhe ëndrrën për t’u bërë këngëtare. Në intervista të shumta, ai kishte shprehur publikisht se do të bënte gjithçka për të përmbushur dëshirën e saj, duke qenë mbështetësi më i madh në rrugëtimin e saj artistik.
Policia ka arrestuar 17-vjeçarin që shkaktoi aksidentin, i cili po drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Ai akuzohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt”. Ngjarja ka ngjallur zemërim dhe trishtim në opinionin publik, ndërsa shumë qytetarë kanë reaguar duke kërkuar drejtësi për humbjen e jetës së një babai që për shumëkënd simbolizonte dashurinë dhe përkushtimin prindëror.

