Connect with us

Kosova

E vogla Brnabiç, GJUAN ME TOP, e cilëson Këshillin e Evropës si organizatë hipokrite

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, është shprehur e indinjuar me Këshillin e Evropës, meqë kjo organizatë ndërkombëtare pritet ta pranojë Kosovën si anëtare të saj të radhës, duke potencuar se me këtë veprim, Organizata “po shkel statutin dhe vlerat e tij”.

Ana Bërnabiç, sikurse edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia të largohet nga kjo organizatë ndërkombëtare në rast se në të pranohet Kosova, duke deklaruar se “nuk është nevoja për të qenë pjesë e një hipokrizie”.

Këto komente të ish-kryeministres Bërnabiç vijnë pas deklaratave të raportueses së Kosovës në Parlamentin Evorpian, Viola von Cramon, e cila i quajti blof deklaratat e presidentit Vuçiç se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës.

“Ne nuk bëjmë blof” – shkroi Bërnabiç në platformën sociale, X, ndërsa pretendoi se pikërisht Perëndimi është ai që po bën blof dhe po gënjen, kur në pikëpyetje është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ju, nuk keni bërë vetëm blof, por keni gënjyer për themelimin e Asociacionit, që është shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit. Në më pak se një muaj, më 19 prill, është 11 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Ku është Asociacioni? Kjo nuk vë në pikëpyetje kredibilitetin e Kosovës, por kryesorja, dëmton seriozisht kredibilitetin e BE-së” –  ka pretenduar Bërnabiç.

Vlen të kujtojmë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia ta braktisë Këshillin e Evropës në rast se në të anëtarësohet Kosova. Anëtarësimi i Kosovës në KiE, në vlerësimin e Vuçiç-it, është de facto dëbimi i Serbisë.

I frustruar me mundësinë reale të inkuadrimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, Vuçiç ka pretenduar se KiE është një mekanizëm që vendos “për asgjë”.

Në anën tjetër paralajmërimin e Vuçiç-it, von Cramon, e ka cilësuar si blofin e radhës së tij, meqë në vlerësimin e saj është e sigurt që Serbia nuk largohet nga kjo organizëm ndërkombëtar.

“Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, ka shkruar von Cramon në platformën sociale, X, duke iu referuar deklaratave të fundit të Vuçiç-it, dhe se “Anëtarët e Këshillit të Evropës, sipas eurodeputetes gjermane, “do të vendosin vetë se kë do të pranojnë”.

“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës, që kjo e fundit të pengohet të pranohet”, është shprehur Von Cramon.

Jo vetëm në Marrëveshjen Bazike që tashmë ka mbushur një vit, por edhe në vetë Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia ishte pajtuar të mos e pengonte dhe as do inkurajonte dikë tjetër të ndalojë rrugëtimin evropian të Kosovës.

Tashmë ajo që kishte nisur si prolog – pas përjashtimit të Federatës Ruse – po kthehet edhe epilog, në eventualitetin dita-ditës të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Beogradi zyrtar ka nisur kafshimin e dhëmbëve të vet në kundërshti të anëtarësimit të Kosovës në këtë paradhomë të Bashkimit Evropian.

Në dritën e shpalosjes së raportit – tashmë edhe publikisht tejet premtues – të Raportueses së Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyanis, Serbia zyrtare, e angazhuar me orar të plotë në luftimin e aplikimit të Kosovës, ka hedhur vrerë ndaj deklarimeve të saj.

Vetë pakica serbe, tha Bakoyanis, do të përfitojë “më së shumti” nga anëtarësimin e Kosovës në KiE, prandaj edhe deklaroi se ka rekomanduar një “periudhë monitorimi” të Kosovës nga Këshilli.

Advertisement