Kronike
‘E vrava me porosi të Klodian Lekoçajt’
GREQI– Policia greke ka ngritur një tjetër akuzë për shqiptarin Klodian Lekoçaj, i cili ndodhet prej vitesh në burg si pjesë “mafias së burgjeve”. Kjo pasi i arrestuari një ditë më parë, Viktor Çala, 39 vjeç ka rrëfyer se është autor i vrasjes së një shtetasi grek të komunitetit rom dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik.
Grekun, Çala ka deklaruar se e ka vrarë me porosi të Klodian Lekoçajt për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Viktor Çala u vu në pranga një ditë më parë së bashku me Andi Beqirin, 23 vjeç, teksa udhëtonin në një automjet. Atyre iu gjetën dy kallashnikovë dhe një thikë ndërkohë që në banesë iu gjet edhe një pistoletë.
Shqiptari Klodian Lekocaj është i burgosur që prej shtatorit të vitit 2018 në burgun e Koridalos në Athinë. Lekocaj mësohet se ka pasur një ndikim të madh mbi mafien në Greqi. Edhe pse ai është i burgosur ka arritur gjithmonë që t’u japë urdhra “ushtarëve” të tij nga qelia. Lekocaj akuzohet për vrasjen e dy shqiptarëve Albert Bako dhe Bandiol Tusha në burgjet greke.