Kosova
E ZBULON eksperti amerikan, arrestimet e Serbisë dhe çfarë do të ndodhë ditëve në vijim
Profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin, ka komentuar ndalimet e shtetasve të Kosovës nga policia serbe në kufirin me Kroacinë.
Ai ka thënë se nuk ka dyshime se ndalimet dhe arrestimet e Serbisë, erdhën si përgjigje ndaj votës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Nuk ka dyshim se veprimet e fundit të Serbisë, janë përgjigje ndaj votës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, nuk ka dyshim se ato futen në serinë e pafundme të provokimeve dhe ofendimeve të bëra nga Prishtina dhe Beogradi kundër njëra-tjetrës si pjesë e konfliktit për statusin e Kosovës” – ka deklaruar Kanin.
Kujtojmë se policia serbe pak dite me pare arrestoi edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës Dejan Jankoviç, i cili u lirua vetëm pas reagimeve të shumta ndaj Serbisë.
Sipas profesorit amerikan, fakti që Jankoviç është nga Shtërpca, është i rëndësishëm, ndaj edhe u arrestua, pasi Serbia e sheh si tradhtar, për shkak të përpjekjeve të tij për integrimin e serbëve në veri.
“Dejan Jankoviç është një objektiv i natyrshëm i zemërimit serb, një serb nga Kosova që po bashkëpunon për të integruar serbët atje në një shtet funksional. Fakti që ai është nga Shtërpca gjithashtu është i rëndësishëm. Shtrirja e Beogradit në jug të Ibrit është e kufizuar dhe mundësia për të ndaluar dhe ngacmuar dikë prej andej, të cilin Serbia e sheh si tradhtar, duket se ka qenë shumë e mirë për t’u lënë para pak ditësh pas dore” – ka theksuar më tej David Kanin.
Ai vlerësoi gjithashtu se ngjarjet e fundit, kanë shtuar zhgënjimin ndërkombëtar, megjithëse sipas tij, nuk do të ketë ndonjë veprim të rëndësishëm nga Perëndimi.
“Zëdhënësit e SHBA-së dhe Evropës po shprehin “shqetësim”, por nuk ka gjasa të ndodhë ndonjë veprim i rëndësishëm ndërkombëtar. Ngjarjet e fundit thjesht shtojnë zhgënjimin ndërkombëtar me incidentin e Banjskës, ndalimin e dinarit nga Prishtina dhe dështimin e vazhdueshëm të përpjekjeve për të imponuar të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit dhe dialogun e ngecur prej kohësh të udhëhequr nga BE-ja që supozohej të fillonte” – ka theksuar eksperti amerikan.
Kujtojmë se Kryeministri Albin Kurti, e konsideroi si hakmarrje të Serbisë ndalimin e udhëtarëve të mërkurën e shkuar në pikëkalimet kufitare në Serbi. Kjo, sipas Kurtit, është paralajmëruar edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Ai ka theksuar se Serbia u hakmor kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.