Kosova
Edhe po të ma falësh gjithë Gjermaninë, nuk do lejojë heqjen e vizave me Kosovën
Autoritari Milorad Dodik ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk do të lejojë heqjen e vizave me Kosovën.
Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, ka thënë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe “nuk mund të njohë dokumentet e lëshuara nga qeveria e Albin Kurtit”.
Këto komente, Dodik i ka bërë pasi që Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se nuk do të ketë “karamele” për Dodik-un për zhbllokimin e marrëveshjes për heqjen e vizave me Kosovën, e arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.
Por, autoritari Dodik ka theksuar se nuk do ta bëjë këtë edhe sikur emisari I Berlinit, ti falte gjithë Gjermaninë, duke ua pamundësuar kështu qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza në Bosnje Hercegovine, paçka se kryeministri Albin Kurti njoftoi se qytetarët e vendit fqinje mund të vijnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim nga 1 janari i 2025-së.
“Edhe po t’ma japësh gjithë Gjermaninë, këtë dhurate nga une nuk do ta marrësh. Ju dhe satelitet tuaj kerkoni ten a jepni leksione, por nuk funksionon kështu”- ka deklaruar Dodik në një konferencë për shtyp në Sarajevën Lindore.
Përkundër marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Mirëpo, kryeministri Kurti, në margjinat e Samitit të Berlinit, ka deklaruar se nga 1 janari, qytetarët e Bosnje-Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim.
Por, ndryshe nga qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, nga kjo datë qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin pa viza në BeH, për shkak se Republika Srpska nuk e lejon një gjë të tillë. Për ta ndaluar këtë, ajo përdor veton që ka në presidencën trepalëshe të BeH-së (boshnjake, serbe dhe kroate).